Tre lushnjarët e arrestuar dyshohen të implikuar në atentatin e dështuar
21/03/2005 Tre lushnjarët Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani u prangosën disa ditë më parë, pasi në kartën telefonike të gjetur në vendngjarje u gjetën numrat e tyre të telefonit. Madje, nga verifikimet e tabulateve rezultoi se ata kishin kryer thirrje të shumta në numrin e viktimës të cilat ishin reciproke. Gjithashtu, edhe natën e ngjarjes, rezulton se ata kishin biseduar disa herë me njëri-tjetrin, thonë burimet e prokurorisë. Ata ranë në kurthin e policisë, ku një agjente i kishte joshur dhe u kishte kërkuar takim në Tiranë, pikërisht Ditën e Verës. Porsa ata kanë mbërritur në vendtakimin e paracaktuar, janë rrethuar nga një numër i madh policësh të cilët i kanë prangosur në vend. Gjatë marrjes paraprake në pyetje, ata nuk kanë pranuar ta njihnin numrin në fjalë. Por, kur janë ballafaquar me tabulatet e thirrjeve telefonike që kishin kryer me këtë numër, kanë thënë se i përkiste Leonard Priftit, njërit prej të akuzuarve si pjesëtar i “Bandës së Lushnjës” që është në proçes gjykimi në mungesë, pasi nuk është arrestuar ende. Burimet thonë se nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe krahasimi i të dhënave fizike të Leonard Priftit me ato të viktimës, rezulton që ato të mos jenë të njëjta. Për këtë shkak dyshohet se ata kanë mashtruar me qëllim që policia të bindej se viktima ishte Leonard Prifti dhe të pushohej çështja në ngarkim të tij. Gjithashtu, nga përgjimet ambjentale që u është bërë tre të arrestuarve me leje të gjykatës, është arritur të kapet vetëm një frazë. Ata i kanë thënë njëri-tjetrit që çfarë do të ndodhte po të mos e tregonin emrin e personit të vdekur. Nisur nga këto rrethana kanë lindur dyshimet se tre të ndaluarit të paktën kanë dijeni të plota rreth ngjarjes. Gjithashtu, ata dyshohen si të implikuar në këtë atentat të dështuar, përfundojnë burimet.