E Diel, 1 Nëntor 2026

“Identifikohet” operativisht viktima te “Don Bosko”

21/03/2005  Policia siguron informacione për mungesën e një personi në Lushnjë. Pritet denoncimi i familjarëve

Policia dhe Prokuroria e rrethit Tiranë, ka arritur operativisht në një emër konkret të dyshuar si personi që u masakrua si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi në shkallët e një pallati në rrugën “Don Bosko”. Por edne nuk është arritur që ky emër të zyrtarizohet. Agjentë të policisë së kryeqytetit në bashkëpunim me ata të Komisariatit të Lushnjës, kanë arritur të sigurojnë informacione operative lidhur mbi identitetin e mundshëm të “kamikazit”. Dyshohet që viktima të jetë nga rrethi i Lushnjës. Por, ende nuk ka asnjë denoncim për zhdukje personi.

Identifikimi

Hetuesit tashmë kanë në dorë një emër të dyshuar lidhur me identitetin e personit që mbeti i vdekur nga shpërthimi i eksplozivit te “Don Bosko”, disa javë më parë. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se gjithçka që disponojnë deritanimë është operative. Por se nuk kanë arritur të zyrtarizojnë dyshimet e tyre lidhur me identitetin e viktimës. Sipas policisë, viktima dyshohet të jetë nga rrethi i Lushnjës. Mësohet se gjithçka është arritur në rrugë operative. Agjentë dhe bashkëpunëtorë të policisë kanë marrë informacione për zhdukjen e një personi që nga të dhënat paraprake, dyshohet të jetë “kamikazi” i “Don Boskos”. Gjithashtu, agjentëve të policisë u janë vënë në dispozicion disa prej të dhënave fizike të viktimës. Burimet thonë se kafka e tij nuk është dëmtuar dhe se është arritur të sigurohen disa të dhëna rreth paraqitjes së tij. Gjithashtu, burimet thonë se së shpejti mund të publikohet një identikt i tij. Nga burimet mësohet se qarkullojnë fjalë për identitetin e një personi të zhdukur në rrethin e Lushnjës dhe që dyshohet të jetë pikërisht viktima, kufoma e të cilit prej disa javësh dergjet në morgun e Tiranës, në pritje të familjarëve të tij.

Hetimi

Nga burime të policisë dhe të prokurorisë, mësohet se tashmë është konkluduar zyrtarisht se në këtë ngjarje, është e implikuar “Banda e Lushnjës”. Ato sqarojnë se kjo rrethanë është vërtetuar edhe nga deklarimet e tre të arrestuarve lushnjarë, të cilët kanë pohuar se numri celular i gjetur në vendngjarje i përkiste Leonard Priftit, njërit prej të akuzuarve si pjesëtar i bandës, i cili gjykohet në mungesë për vrasje dhe është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Burimet sqarojnë se nga verifikimet rezultoi se numri në fjalë, nuk i përkiste Leonard Priftit. Dyshohet se të ndaluarit e kanë përmendur këtë emër qëllimisht, që ai të rezultonte i vdekur dhe të pushohej çështja në ngarkim të tij, sqarojnë burimet. Ato theksojnë se të dhënat fizike të Leonard Priftit nuk korespondojnë me ato të viktimës. Mësohet se ende nuk është konkluduar në një version zyrtar për objektin e këtij atentati, por dyshohet se mund të ketë qenë kundër një ish-zyrtari të policisë që banon aty pranë. Ndërsa janë zbehur dyshimet se mund të ketë qenë ndaj nënës së policit të vrarë Klenti Bano, thonë burimet. Burimet thonë se po hetohet edhe në pistën se viktima mund të jetë zhdukur nga vetë bashkëpunëtorët e tij. Kjo, pasi ende nuk janë zbardhur rrethanat e shpërthimit të eksplozivit. Ndërsa, përsa i përket identifikimit të viktimës, policia deritanimë ka punuar në rrugë operative, pasi nuk ka pasur asnjë kallëzim për zhdukje personi. Kjo mendohet se bëhet për shkak të frikës që mund të ketë familja e viktimës, apo implikimit të saj në këtë ngjarje, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›