E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e viktimave të 21 janarit, letër ambasadorit amerikan

 Pak ditë para 1-vjetorit të katër vrasjeve të 21 janarit, familjarët e viktimave i drejtohen me një letër ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Në këtë letër, familjarët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës kërkojnë që ambasadori amerikan të nxisë hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e fajtorëve.

Vrasjet e 21 janarit lindën të zbardhura, të filmuara, në sytë e gjithë botës. Vrasjet lindën të qarta, por për fat të keq janë bërë dhe bëhen përpjekje për t`i turbulluar rrugës me qëllim që e vërteta të mos dalë kurrë. Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk mund të pajtoheni në asnjë mënyrë me zvarritjen, mjegullimin dhe dështimin e këtyre hetimeve, shprehen në letër familjarët e viktimave.

Duke iu drejtuar ambasadorit Arvizu, ata shprehen në letër se institucionet shqiptare duhet të tregojnë pavarësi dhe guxim në punën e tyre, por ato kanë nevojë për mbështetje dhe inkurajimin tuaj për zbatimin e ligjit pa marrë parasysh se kush preket nga zbatimi i tij. Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk jeni indiferent ndaj deklaratave shqetësuese që ka bërë prokurorja e përgjithshme Ina Rama në lidhje me presionet dhe pengesat që ka haspur prokuroria në këtë hetim, thuhet në letër.

Familjarët e viktimave të 21 janarit shprehen në letër se nuk do të kemi paqe dhe qetësi të vërtetë në Shqipëria pa u vënë drejtësia për vrasjet e 21 janarit. Drejtësia për 21 janarin është më shumë se një çështje personale e jona. Është një çështje të funksionimit ose jo të shtetit ligjor në Shqipëri”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›