E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Kukës Dëshmia e gazetarit të NEWS24

TIRANE- Gazetari i NEWS24 Artan Hoxha dëshmon për NEWS24 se ka udhëtuar një ditë më parë me makinën e kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar të komunës Shtiqen, të Kukësit, Astrit Cengu. Sipas dëshmisë së Hoxhës, gjatë gjithë ditës së djeshme ai është shoqëruar me Cengun, ndërsa në momentin e shpërthimit, ku në makinë nuk ndodhej asnjë person, Cengu po shkonte të takonte pikërisht, Artan Hoxhën në hotelin ku ai qendronte në Kukës.

Hoxha rrëfen se makina e kandidatit të PS ishte e parkuar përballë hotelit të tij, ndërsa tritoli u vendos në pjesën e pasagjerit, ku ai kishte udhëtuar një ditë më parë.

“Jam ndjerë shumë keq sot në mëngjes, kur kam marrë vesh për ngjarjen. Për faktin se dje jam ulur disa herë në kafe me zotin Cengu dhe kam udhëtuar me atë makinë. Kam lëvizur me atë mjet në aksin Kukës- Krumë. Dje kam pasur takime me titullare në gjykatë e polici”, rrëfen Hoxha.

“Pashë vendin që eksplozivi ishte vënë në krahun e majtë, nuk e di nëse kjo është bërë qëllimisht, por dua të them se unë kur lëvizja jam ulur në atë pozicion. Pyeta në policinë e Kukësit për eksplozivin, dhe mora vesh që ka qënë një shpërthim i komanduar. Ka qënë një shpërthim me kronometër. Kjo më shtyn të besoj se autorët e krimit e kanë menduar mirë se cili ka qenë objektivi i tyre. Fatmirësisht Cengu ka zbritur dhe e ka kapur vetëm vala e shpërthimit”, shton Hoxha më tej.

Gazetari Artan Hoxha shton se “Cengun nuk e njoh si përfaqësues të PS, e kam njohur si përfaqësues të policisë. Ai mu duk i shqetësuar në krahasim me herët e tjera. Më ka thënë që ka presion në zonë, pasi Shtigjni është një nga basionet e së djathtës. Ndërkohë që edhe rivali i tij ishte i fortë në zonë, si kandidat.

Hoxha rrëfen se në Kukës ndodhej për të hetuar një ngjarje korrupsioni në nivel vendor, të cilën ende nuk e ka përfunduar.
“Kam qënë aty për të hetuar një histori korrupsioni, ku është përfshirë qeverisja vendore. Jam duke hetuar në atë cështje dhe nuk mund ta nxjerr përpara zgjedhjeve, pasi nuk plotësohen të gjitha kushtet. Them që nëse do të botohej do ndikonte edhe në fushatën zgjedhore në Kukës. Në të gjitha institucionet që hyra u krijuar përshtypja se kërkoja informacione për një ngjarje të tillë dhe u krijua një përshtypje që do të përdorej për fushatë. Nga ajo skenë që pashë unë dje, nuk gjej ende një shpjegim të qartë se kush janë autorët. Fryma nga fushata zgjedhore ka nxitur akte të tilla”, thekson ai.

Hoxha kërkon që policia të reagojë dhe të parandalojë këto grupe krimi të rrezikshme.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›