E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga pronarit të kamionit me 2 mijë kile marijuanë

 

Dashamir Biçaku

Arrestohet në Tiranë ish-emigranti, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe i akuzuar si pronar i një sasie prej 2 mijë kilesh marijuanë e kapur në Kakavijë në vitin 2005. Florian Shtalpi, 38 vjeç, banues në Tiranë në rrugën "Gjikë Kuqali", u arrestua dje në mbrëmje rreth orës 20:45 nga Seksioni i Kërkimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. I kërkuari ishte emigrant në Francë për shumë vite, por është arrestuar në bazë të një vendimi të formës së prerë të dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Arrestimi i tij është bërë i ditur për gazetën "Panorama" nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët pohuan se Florian Shtalpi ishte shpallur në kërkim në bazë të një vendimi të dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës rreth një vit e gjysmë më parë. Ndërkaq dje në mbrëmje pas një periudhe të konsiderueshme gjurmimi nga agjentët, policia ka vënë në pranga të kërkuarin në banesën e tij të marrë me qira në rrugën "Gjikë Kuqali". Më parë ai kishte banuar në Laprakë, por pas kapjes së kamionit me drogë ka humbur gjurmët duke u fshehur në Tiranë. Policia ka ndjekur një të afërm të personit të kërkuar deri sa ka rënë në gjurmët e tij. I kërkuari 38-vjeçar ishte akuzuar për organizim dhe trafikim të një sasie marijuane prej 2000 kg, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Për këtë qëllim ai kishte pajtuar një shofer me një pagesë prej rreth 200 mijë lekësh të vjetra për rrugë, ndërsa kishte marrë edhe një kamion trajler për ngarkesën me drogë. Kamioni, sipas burimeve të policisë, ishte pajisur me një shtresë dyfishe në dyshemenë e tij, ku edhe ishte fshehur lënda narkotike prej 2000 kilesh. Vlera e drogës, sipas burimeve të policisë në atë kohë kapte shifrën e 200 eurove për kg, ndërsa në total mendohet se arrinte në 400 mijë euro. Florian Shtalpi mësohet se i ka dhënë shoferit kamionin në afërsi të "Zogut të Zi", ndërsa më pas ai i kishte pohuar atij se duhej të shkonte në Greqi, për t'u furnizuar me hekur për biznesin e tij në Tiranë. Kamionisti ka marrë automjetin dhe është nisur në drejtim të Kakavijës për të kaluar në Greqi. Në këtë kohë, Antidroga e policisë së Tiranës ka kërkuar nga policia e Gjirokastrës verifikimin e kamionit me të dhënat përkatëse. Pas kontrollit, policia ka zbuluar sasinë e konsiderueshme që ndodhej në shtresën e poshtme të kamionit, ndërsa shoferi është arrestuar në flagrancë. Pas hetimit të ngjarjes, policia ka identifikuar edhe një person tjetër të përfshirë, por që më pas çështja ndaj tij është pushuar nga Prokuroria. Shoferi pas më tepër se një viti e gjysmë është lënë i lirë nga organet përkatëse, pasi nuk kishte dijeni për drogën. Procesi gjyqësor i zhvilluar në Krimet e Rënda ka dënuar me 15 vite burg Florian Shtalpin, me akuzën e organizimit dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Pas dënimit ai është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›