E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet, kundër skemës 40 milionë euro për fshatin turistik shqiptar



Kerin Hope

Arben Leka nxjerr në mënyrë të kujdesshme një dokument të vjetër, ngjyrë kafe dhe lëviz gishtin poshtë një liste emrash të shkruar, e lëshuar në vitin 1937. Leka është një nga 129 banorët që kundërshtuan ndërtimin e të parit fshat turistik me pesë yje në Shqipëri. Grupi “Riviera”, me qendër në Tiranë, dëshiron të ndërtojë një fshat turistik me 800 shtretër në plazhin e Kakomesë, me formë harku, me guralecë të bardhë dhe pranë bregut me ullinj, një brez i gjelbër dhe një manastiri të Shën Mërisë së shekullit XIII. Kompania ka bllokuar plazhin, duke ndaluar edhe kalimin për në Manastir.
“Ne të gjithë kemi aktet e pronësisë, ne jemi duke mbrojtur pronën tonë në gjykata, teksa buldozerët ende ndodhen në zonë dhe ne kemi humbur të drejtën e përdorimit të pronës sonë”, - thotë z. Leka, një inxhinier në profesion.
Dritan Çelaj, presidenti i “Riviera”-s, thotë se Kakomeja është tokë shtetërore. Kompania e tij ka marrë të drejtën e përdorimit për 99 vjet, në vitin 2004, për të zhvilluar bregdetin, por projekti 40 milionë euro është pezulluar pas protestave nga banorët vendas dhe ndryshimi i qeverisë.
Vladimir Kume, kryetari i Komunës së Nivicës, 6 kilometra larg nga Kakomeja, ku jetojnë pjesa më e madhe e protestuesve, thotë se shumica e familjeve kanë tre tituj pronësie të tokës së tyre. Njëra daton nga viti 1870, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, tjetra kur është lëshuar nga regjistri i tokës së përgatitur nga Mbreti Zog në vitin 1930 dhe garancia e tretë, kthimi i tokës së kolektivizuar gjatë regjimit në vitin 1994. Konfliktet për pronësinë e tokës janë të përhapura gjerësisht përgjatë bregdetit jugor të Shqipërisë, kryesisht për shkak të potencialeve të tij për zhvillimin, në një nga zgjatimet e paprekura të Mesdheut.
Kthimi i tokës te pronari i periudhës para vendosjes së komunizmit, mbetet një çështje problematike, me shumë pretendime, akoma të diskutueshme.
Një regjistër i ri toke, i ndërtuar me asistencën e ekspertëve të huaj, ka bllokuar për një kohë të gjatë aplikimet për marrjen e titujve të pronësisë.
Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është kritikuar nga Komisioni Europian si i dobët dhe lehtësisht i ndikueshëm, duke shtuar vështirësitë e zgjidhjes së konflikteve të pronësisë nëpër gjykata.
Nëse do të marrin pronësinë e tokës, protestuesit që e quajnë veten si “Klubi 129”, thonë se nuk kanë synimin që të zhvillojnë një turizëm “soft” në Kakome, - me shtëpi të vogla dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, apo hotele, - pasi janë njohur dhe e kanë parë projektin.
Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Sali Berisha e kundërshtoi projektin në kohën kur ishte në opozitë. Tani e mbështet zotin Çelaj. Ministri i Turizmit, Ylli Pango, thotë se ky sektor ka pësuar rritje në mënyrë të shpejtë, me 60 për qind, pasi vitin e kaluar u regjistruan rreth 2 milionë vizitorë. “Pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë në Shqipëri sepse pushimet nuk janë të kushtueshme.
Por, ne kemi nevojë të zhvillojmë një numër të vogël fshatrash turistikë të cilësisë së lartë”, - thotë ai. “Kakomeja është një shembull i tillë”.
Turistët mund të kalojnë në Kakome me motobarka nga ishulli grek i Korfuzit.
Kompania “Riviera” planifikon për të ndërtuar një fshat turistik me banesa me kate të ulëta, me kapacitet 800 shtretër, që mund të hapë disa qindra vende pune.
“Sigurisht, ne jemi duke ofruar punë për banorët vendas”, - thotë Çelaj. Pjesa më e madhe e banorëve lanë Nivicën pas rënies së komunizmit për të punuar në ndërtim dhe turizëm në Greqi, duke lënë prindërit e tyre të moshuar për t’u kujdesur për bagëtitë dhe parcelat e ullishtave.
Në verë, popullsia e fshatit rritet nga 400 veta në më shumë se 2000, ashtu siç familjet kthehen për të rregulluar shtëpitë e tyre dhe për të pushuar në bregdet.
Në saje të kontributeve nga banorët e saj të larguar, - u ndërmor një projekt nga Banka Botërore, i cili bëri të mundur sigurimin e 20 mijë eurove për shtrimin e rrugës dhe ndërtimin e ujësjellësit në këtë fshat.
“Zyrtarët na kërkojnë të lëmë tokën tonë dhe të largohemi nga vendlindja”, - thotë Vangjel Tsari. Ai ka punuar për 10 vjet në hotele të ndryshme në Greqi përpara se të kthehej dhe të ndërtonte kafenenë e fshatit.
“Në fakt, ne jemi duke investuar për të. Ne mund të bëjmë turizëm pasi kjo është ajo që mund të bëjmë”, - thotë ai.

---------------
Shkrimi është publikuar më 23 shkurt në “Financial Times”

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›