Nishani: ”Regjistri ofron lista të pastra”
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje se regjistri u ofron qytetarëve lista të pastra zgjedhore. Ai nuk la pa përmendur se regjistri themeltar i Gjendjes Civile është baza për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sipas tij, ky regjistër është pastruar nga dublikatat. Nishani gjithashtu shtoi se qeveria është e angazhuar që mos të ketë më probleme me dublikatat që të ketë lista të pastra zgjedhore.
Listat e zgjedhësve janë një problem kryesor për kryerjen e procedurave brenda afateve. Kartat e identitetit janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e procesit zgjedhor dhe përfundimin e listave të zgjedhësve. Kryetarët e minibashkive në Tiranë shprehen se nuk kanë kohë për t’i realizuar të gjitha procedurat brenda afateve ligjore përsa u përket listave të zgjedhësve.
Pak ditë më parë, Ilir Kokona, kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 3, u shpreh se KQZ-ja duhet të veprojë shpejt, pasi listat paraprake të zgjedhësve duhet të shpallen më 1 mars, edhe pse afati i parë ka kaluar, pasi ato duhet të shpalleshin më 29 janar, në bazë të Kodit Zgjedhor. Për zgjedhësit që nuk kanë një adresë të saktë të vendbanimit të tyre do të ngrihen qendra të posaçme votimi. Një çështje tjetër që kërkon zgjidhje është dhe kategoria e personave me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit, të cilët nuk kanë pasaportë, por që duhet të aplikojnë brenda datës 30 mars për karta identiteti. Ndërkohë që njësitë bashkiake deklarojnë se problemet me dublimet e emrave janë të përditshme dhe deri tani kanë qenë të pashmangshme. Njëkohësisht, problem tjetër ka qenë edhe emrat e të vdekurve, të cilët rezultojnë që sot të jenë mbi 200 vjeç. Ndërsa në shumicën e njësive ka filluar shpërndarja e kartave të para elektronike, të cilat po iu jepen atyre që kanë aplikuar në fillim të nisjes së procesit të aplikimit për kartat e identitetit.
25 Shkurt 2009