E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e prefektit për buxhetin mban peng strehimin e shtresave në nevojë

Këshilli Bashkiak, asnjë mbledhje për çështjet që shqetësojnë kryeqytetin. Prefekti pretendon një votim tjetër për buxhetin e Tiranës

Emanuela Sako

Diskutimet për buxhetin kanë lënë në harresë mjaft qytetarë të pastrehë që kërkojnë ndihmë nga Bashkia për të përfituar nga programet e strehimit social. Prej tre muajsh Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka diskutuar asnjë çështje tjetër përveç buxhetit, i cili u votua me shumicë votash. Por pretendimet e kaheve të ndryshme politike dhe së fundi pengesa që po i bëhet nga prefekti i Tiranës, po u mbyll rrugën shtresave në nevojë. Kështu, deklarata e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, i cili e konsideroi buxhetin e Tiranës të miratuar, u kundërshtua dje nga prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi. Ky i fundit deklaroi se projektbuxheti i Tiranës nuk ka hyrë ende në fuqi. “Sipas procedurës, Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet edhe njëherë për ta rishqyrtuar sërish projektbuxhetin e Tiranës”, - u shpreh Keçi.
Dy ditë më parë, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Petraq Simo, i ka kthyer përgjigje prefektit të Qarkut Tiranë, Ruzhdi Keçi, duke i përcjellë për të dytën herë në tryezë brenda pak ditëve, projektbuxhetin e firmosur. Simo u shpreh se miratimi i buxhetit të Tiranës për vitin 2009 është një kapitull i mbyllur.
Bonuset
Janë të shumtë banorët që kërkojnë strehim nga programet e Bashkisë së Tiranës për strehimin social. Por deri tani asnjë prej tyre nuk ka përfituar dhe arsyeja kryesore është bllokimi politik që po i bëhet buxhetit. Madje duket se problemet do të vazhdojnë edhe pasi buxheti të marrë përfundimisht miratimin, pasi në të do të ketë përsëri vonesa në zbatimin e projekteve për strehimin. Buxheti i këtij viti parashikon të detajuara të gjitha investimet që do të bëhen për banesat sociale dhe për bonusin e qirasë. Kështu, të gjithë ata që qytetarë që kërkojnë ndihmë nga Bashkia, do t’u duhet të presin që të përfundojnë lojërat politike, në mënyrë që të mund të përfitojnë sa më shpejt nga programet sociale.
Përfitimet
Nga programet sociale për strehimin e shtresave në nevojë përfitojnë të gjithë ata qytetarë që do t’u prishen shtëpitë nga zbatimi i projekteve të Bashkisë. Kështu, familjet që jetojnë në ndërtesën e ish-Uzinës së Autotraktorëve do të jenë të parët që do të përfitojnë strehim nga projekti i Bashkisë për të pastrehët në kryeqytet. Premtimi ka ardhur nga Bashkia e Tiranës, e cila ka siguruar se të gjithë banorët që jetojnë në kushte tejet të vështira në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të përfitojnë një banesë nga Bashkia e Tiranës. Kështu, të gjitha familjet që jetojnë në këtë ndërtesë, që është jashtë kushteve minimale të jetesës, do të strehohen në një nga 350 apartamentet që pritet të fillojnë të ndërtohen. Numri i përfituesve të banesave sociale nga projektet e Bashkisë për strehimin do të jetë 1297 familje. Në këtë listë do të përfshihen edhe banorët që do të dalin të pastrehë nga prishja e ndërtesave që do të bëhen në Unazën e Madhe.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›