E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet në Durrës-Kukës, ministrat shqiptarë dhe kosovarë inspektojnë rrugën



Ministri i Transporteve të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, e konsideroi rrugën Durrës-Kukës-Morinë një rrugë të zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Pas inspektimit të punimeve në tunelin Thirrë-Kalimash, 5,5 km të gjatë, të konsideruar ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, ministri i Transporteve të Kosovës, Limaj, u shpreh: "Kjo rrugë është një arterie e rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe që do të ndryshojë zhvillimin ekonomik mes dy vendeve". I shoqëruar nga ministri shqiptar i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, si dhe nga një grup ministrash të Republikës së Kosovës që ndodhen për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ministri Limaj deklaroi: "Kjo rrugë do të kthehet në një rrugë të rëndësishme rajonale". Ai gjithashtu kujtoi rëndësinë për kushtet lehtësuese që kjo rrugë krijon për daljet në det. "Ajo është dhe një portë detare", - tha ministri Limaj, duke vlerësuar faktin se Shqipëria i ofron Kosovës Portin e Shëngjinit, gjë që u konfirmua edhe në takimin e djeshëm me kryeministrin Berisha, i cili u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj. Rruga e re Durrës-Kukës pas përfundimit do të shkurtojë ndjeshëm distancën e Kosovës me Detin Adriatik dhe, pas mbarimit dhe të portit, distancën e Kosovës me tregun e gjerë europian. Punimet vijojnë në të gjithë gjatësinë e rrugës prej 61 km, në të 29 urat, prej të cilave në 16 ura punimet kanë përfunduar. Në dhjetor të 2008-s përfundoi edhe ura më e lartë në segmentin e tretë prej 80 m, e quajtur ura 88, në krahun verior të tunelit. Kompania "Bechtel-Enka" po punon njëkohësisht në të dyja hyrjet e tunelit, në veri dhe jug, paralelisht. Në këtë aks punojnë mbi 3500 punonjës dhe për të arritur një progres të tillë punimesh po përdoren rreth 1300 makineri të tipeve të ndryshme. Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, pasi lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet Portit të Adriatikut në Durrës. Punimet për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë pritet të përfundojnë në mesin e muajit qershor të këtij viti.

“GISDATA” prezanton sistemin e ri elektronik të informacionit gjeografik

Shoqëria amerikane “GISDATA”, (Sistemi i Informacionit Gjeografik), prezantoi programet e automatizuara elektronike që mundësojnë rritjen e informacionit të detajuar mbi resurset dhe zhvillimet administrative të një vendi. Një nga përfaqësuesit e kësaj kompanie, Genc Likskendaj, tha se aplikimi i programit “GISDATA” është një lehtësi që u mundëson institucioneve publike, bankave, kompanive telefonike, kompanive të sigurimeve, etj, të marrin informacion të saktë gjeografik dhe të automatizuar për vendndodhjen e objekteve, infrastrukturën, të dhëna demografike dhe administrative mbi territorin që kërkojnë informacion. Programi i ri “GISDATA” bën të mundur rritjen e shpejtësisë, cilësisë së vendimmarrjes dhe saktësisë së proceseve të punës pa rritur kostot, si dhe bën të mundur njëkohësisht identifikim më të shpejtë të risqeve. Përmes programit GIS, punonjësit do të aftësohen për të skanuar, mbledhur, integruar, menaxhuar dhe dorëzuar çdo lloj dokumenti në formë elektronike në institucion, gjë që i jep çdo informacioni më shumë vlerë. Sipas specialistëve, automatizimi i proceseve të punës rrit aftësinë për të shpërndarë dhe procesuar dokumentacionin në mënyrë të kontrolluar, të saktë dhe duke u bazuar në rregullat dhe protokollet e institucionit, qoftë ky qeveritar apo privat. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore, si banka, dikastere, por dhe nga kompani private. “GISDATA” ka hyrë në tregun shqiptar dhe po punon me Institutin e Tokave, ALUIZNI-n, Zyrën e Adresave dhe synon të rrisë bashkëpunimin edhe me institucione të tjera.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›