PS dhe LSI, protesta për të përkujtuar tragjedinë e Gërdecit
Opozita do t’u rikthehet protestave për të përkujtuar tragjedinë e Gërdecit, që ndodhi më 15 mars 2008, ku humbën jetën 26 shqiptarë dhe u plagosën 300 të tjerë. Partia Socialiste ka bërë thirrje për organizmin e një marshimi të heshtur me moton “Mos harro!”, marshim i cili do të zhvillohet në Gërdec dhe në Tiranë. “Më 15 mars, bashkimi i ri qytetar do të manifestojë në Gërdec dhe në Tiranë me moton ‘Mos harro!’. Përvjetori i parë i masakrës shtetërore të Gërdecit do të jetë dita e kujtesës dhe e protestës qytetare kundër korrupsionit. Kjo nismë e koalicionit tonë është e hapur për çdo qytetar përtej së majtës dhe së djathtës dhe nuk do të ketë ngjyrat e partive, por ato të Flamurit Kombëtar e të Flamurit Europian. Kjo është një thirrje që u drejtohet gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, të cilët më 15 mars duhet të bashkohen për të treguar se qytetarët nuk harrojnë”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli. Por ajo tha se kjo ftesë e Partisë Socialiste nuk drejtohet ndaj ish-aleatëve të LSI-së, e cila, sipas Kodhelit, është kthyer në patericë e kryeministrit Berisha.
Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur zhvillimin e protestave masive në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë për të kujtuar tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, tha: “LSI-ja së bashku me koalicionin e saj të madh dhe real opozitar, si përfaqësuesit e vetëm e të vërtetë të së majtës shqiptare të drejtuar nga Ilir Meta, do të organizojë në datën 15 mars në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë protesta masive kundër qeverisë ‘Berisha’ sepse Ilir Meta dhe LSI-ja qenë të vetmet që një ditë pas tragjedisë së Gërdecit kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Berishës dhe vënien e tij përpara drejtësisë. Ka qenë LSI-ja dhe Ilir Meta që kërkuan në shesh me mijëra dhe me zë të lartë përpara Kryeministrisë largimin e Berishës vetëm tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit”, - tha Xhixho.
25 Shkurt 2009