Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit publikon në internet pasqyrat financiare
Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit ka publikuar në faqen e tij të internetit “www.kkk.gov.al”, pasqyrat financiare. Për t'u ardhur në ndihmë përdoruesve të SKK-ve, ky këshill, duke pasur parasysh detyrimin ligjor të njësive ekonomike që zbatojnë SKK-të për plotësimin e pasqyrave financiare dhe afatin ligjor për dorëzimin e tyre, njofton të gjithë përdoruesit e SKK-ve se formatet e pasqyrave financiare janë përcaktuar qartazi në SKK 2. Ky është i vetmi format ligjor i njohur dhe i detyruar për t'u zbatuar. KKK-ja njofton njëkohësisht se fryma e standardeve është heqja e barrierave dhe kufizimeve të mëparshme botimi dhe shpërndarja e përqendruar e SKK-ve. Duke e lënë të lirë printimin e këtyre pasqyrave prej njësive ekonomike me kushtin e vetëm që në to të jenë të përfshira elementët bazë informues, si dhe zërat bazë të përcaktuara në standardin përkatës. Të gjitha formatet e pasqyrave financiare, të cilat nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara në SKK 2, nuk janë ligjore dhe të përdorshme nga njësitë ekonomike.
INSTAT: “Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë po vijnë në rritje”
Gjatë vitit 2008 shkëmbimet tregtare të vendit tonë me Gjermaninë ishin më të larta se një vit më parë, bëjnë të ditur burime zyrtare të Institutit të Statistikave. Gjatë vitit 2008, në treguesin e importit, Gjermania realizoi shifrën e 26,683 miliardë lekëve, ndërkohë që para një viti ky tregues ishte 20,744 miliardë lekë. Sipas të njëjtave burime, për importet vendin kryesor e ka zënë grupi i makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi me 15,234 miliardë lekë, ai i ushqim, pije e duhan me 4,025 miliardë lekë, i produkteve kimike e plastike me 2,922 miliardë lekë, etj. Ndërsa për eksportet gjatë vitit 2008, Gjermania realizoi shifrën e 3,012 miliardë lekë, nga 2,373 miliardë lekë që ishte kjo shifër në 2007. Për sa i përket eksportit, grup-mallrat kryesore të Gjermanisë kanë qenë tekstile e këpucë me 1,952 miliardë lekë, ushqime, pije e duhan me 882 milionë lekë etj.
GTZ-ja dhe KfW financojnë projekte ekonomike zhvilluese në Shqipëri
Mbështetja e procesit të integrimit europian është një prej objektivave kryesorë të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim (GTZ), e cila operon tashmë prej disa vitesh edhe në Shqipëri. Në këtë kontekst Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka ngritur 4 programe ose Fonde të Hapura Rajonale (ORF) për Europën Juglindore, që përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, që synojnë të zhvillojnë bashkëpunimin rajonal si dhe të forcojnë kapacitetet e vendeve të Europës Juglindore për integrim europian. Në këtë kuadër GTZ dhe KfW prezantuan dje programin e ri "Mbi instrumentet e rinj të bashkëpunimit teknik dhe financiar". Koordinatorja e këtij programi për Shqipërinë, Blerina Raça, duke u ndalur në specifikën e instrumenteve të rinj të bashkëpunimit përmes fondeve të hapura për Shqipërinë tha se, "ky program do të plotësojë bashkëpunimin dypalësh midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke u përqendruar në zhvillimin e vendit por dhe në nevojën e veçantë për integrim rajonal". Sipas saj, programi do të fokusohet në mbështetjen e tregtisë së jashtme, modernizimin e shërbimit të pushtetit vendor, reformën ligjore, dhe eficiencën e energjisë së rrinovueshme. Ndërkohë që për zbatimin e programeve të mësipërme në 7 vendet e rajonit, janë parashikuar të financohen në total rreth 18,56 milionë euro.
25 Shkurt 2009