Familjet përfituese, mundësi punësimi në dyqanet e banesave
Të gjitha banesat sociale të projektuara nga Bashkia e Tiranës do të kenë në funksion të qytetarëve katet e para të pallateve.
Sipas Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU),
katet e para do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar qiranë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas.
6 Qershor 2009