Planifikimi familjar, Ministria e Shëndetësisë mbulon 60 për qind të kostos
Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër mbulimin e 60% të kostove të programit të planifikimit familjar dhe shërbimet e shëndetit riprodhues. Të dyja programet, së fundmi janë shtrirë në të gjitha qendrat shëndetësore në komunat e vendit. Viti 2009 do të jetë vit sensibilizues për planifikimin familjar në vendin tonë. Me mbështetjen e USAID, Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përfunduar strategjinë për shëndetin riprodhues, ku do të ndërmarrë një fushatë të gjerë rreth planifikimit familjar duke u shtrirë edhe në komunat më të thella të vendit. “Në axhendën e vitit 2009 është strategjia kombëtare e shëndetit riprodhues çka do të përbëjë një kornizë ku do të përcaktohen drejtimet kryesore të plotësimit të nevojave për planifikim familjar me qëllim parandalimin e shtatzënive të padëshiruara dhe sigurimin e alternativave kundrejt abortit” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ky program përqendrohet në rritjen e metodave bashkëkohore kontraceptive, për të sqaruar keqkuptimet në lidhje me efektet anësore dhe për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për moshat 18-35 vjeç. Të gjitha këto shërbime, për shpërndarjen e kontraceptivëve, konsultat me mjekun, apo mjekimet e ndryshme do të jenë falas. Kjo strategji ka si qëllim parandalimin e shtatzënive të padëshiruara dhe sigurimin e alternativave kundrejt abortit. Po kështu, uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore, duke bërë të mundur që fëmijët të ushqehen me gji më gjatë, si dhe uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë amtare, duke lejuar që gruaja të marrë veten plotësisht nga çdo lindje. Ministria e Shëndetësisë ka zgjeruar shërbimet e planifikimit familjar në sektorin publik, duke e siguruar deri në nivel komune dhe në disa raste dhe në nivel ambulancash fshati. Ministrja Godo, theksoi se në sektorin publik, kontraceptivët ofrohen falas në 413 Qendra Shëndetësore dhe konsultore të gruas në qytet e fshat. Në vitin 2010, MSH-ja do të mbulojë 100% të kostos së shërbimit të planifikimit familjar në sektorin publik.
6 Qershor 2009