E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, Bashkia nis projektin tjetër për banesat sociale

Kësaj herë zona është pranë qendrës së Tiranës, në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”. Bashkia gati edhe projekte të tjera po për zonat brenda Unazës ekzistuese në kryeqytet

Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka nisur disa projekte për shumëfishimin e numrit të banesave sociale për të pastrehët. Përveç banesave sociale pranë ish- Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, është shtuar edhe projekti tjetër për një bllok banimi në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës. Bashkia ka përcaktuar se aplikimi i familjeve që do të aplikojnë për këto banesa është i njëjtë, si për banesat e para që po ndërtohen në Shkozë. Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të domosdoshmërisë që kanë dhe plotësimit të kritereve për strehim. Mendohet se kategoritë më emergjente do të strehohen në blloqet e banimit që do të përfundojnë të parat. Në këtë mënyrë do të shmangen pakënaqësitë që mund të kenë familjarët për marrjen banesave në periferi të Tiranës, siç është blloku i banimit në Shkozë apo më afër qendrës si blloku i banimit të rrugën “Vëllezërit Manastirliu”. Projekti për strehimin social në Bashkinë e Tiranës do të përfshijë 393 apartamente për 1300 të pastrehë në kryeqytet.
Banesat
Projektet e Bashkisë për strehimin zënë një hapësirë të gjerë dhe pjesa më e madhe e tyre do të jenë ndërtime brenda Unazës ekzistuese. I tillë është rasti i ndërtimeve në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, të cilat janë në një nga zonat më të preferuara të Tiranës. Lartësia e banesave që do të ndërtohen në këtë zonë do të jenë 6-katëshe. Ndërtimet 6- katëshe janë përshtatur me urbanistikën që kanë të gjitha ndërtesat përreth, për të mos krijuar thyerje të ndërtesave të zonës. Nëntoka e kësaj hapësire do të ketë 2 kate parkim, i cili do të administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe do t’u shërbejë jo vetëm banorëve të objektit por edhe qytetarëve të zonës përreth. Në këtë hapësirë, do të ketë kopshte, çerdhe, shkolla, dyqane etj. Banesa sociale parashikon të ofrojë strehë për familje me shumë persona apo dhe me pak persona. Për këtë arsye, brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsoniere, 1+1, dhoma 2+1, si edhe 3+1. Standardet për projektimin e këtyre apartamenteve janë aplikuar në bazë të rregulloreve përkatëse. Banesa në fjalë parashikon të strehojë në çdo kat 16 familje të madhësive dhe përbërjeve të ndryshme.
Projekte të reja
Bashkia e Tiranës në kuadër të programit “Për Integrimin e të Pastrehëve”, ka caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Qëllimi i ndërtimit të banesave sociale është strehimi i personave dhe familjeve të pastreha, si dhe integrimi i tyre në shoqëri. Për këtë arsye, objekte të këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda Unazës ekzistuese, të pleksura në zona banimi të një cilësie mbi mesataren. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret si parkim publik .

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›