E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet rome “zaptojnë” Avokatin e Popullit

Bëhet fjalë për familjet që u shpërngulën me forcë rreth një vit më parë nga Stacioni i Trenit dhe që prej asaj kohe, ata nuk kanë gjetur vend për të ngritur çadrat e tyre.

Pak ditë më parë, ata i vizitoi Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili tha se nëse nuk do të gjendej një strehë, të ngrinin çadrat pranë institucionit të tij. Gjatë ditës së sotme, familjet rome ngritën çadrat e përkohshme derisa Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të gjejë një zgjidhje për ta. 

“Helsinki”: Po shkelen të drejtat e romëve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i dërgoi sot një letër ministrit të Punës, dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në lidhje me strehimin e dhjetëra familjeve rome në Tiranë.

Prej gati 10 ditësh, dhjetëra banorë romë janë strehuar përkohësisht në afërsi të Liqenit Artificial, pas shpërnguljes së tyre nga bashkia.

“Nga takimi me banorët e këtij komuniteti, u konstatua se ata kishin prishur vetë barakat dhe çadrat ku banonin, sepse sipas tyre, përfaqësues të Bashkisë Tiranë, duke patur me vetë një fadromë, u kishin thënë t’i prishnin ato vullnetarisht, në të kundërtën do të prisheshin me forcë. Ata pretendonin, gjithashtu, se u ishte premtuar që brenda ditës do të sistemoheshin për banim në lagjen 5 Maji”, bën me dije Komiteti i Helsinkit.

Më tej thuhet se lënia e këtij komuniteti në një situatë të tillë, sidomos në kushtet aktuale atmosferike, mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme shëndetësore për ta, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët e këtij komuniteti. “KShH, ka ndjekur në vazhdimësi marrjen e masave për akomodimin e këtij komuniteti në një mjedis të përshtatshëm për jetesë. Për këtë arsye dje, më datën 31 Janar 2012, vizituam përsëri këtë komunitet dhe e gjetëm në të njëjtin vend. Për shkak të mungesës së reagimit nga ana e organeve kompetente ata ishin detyruar t’i ngrinin përsëri barakat dhe tendat e prishura, sepse nuk mund të jetonin dot ndryshe”, vijon reagimi.

KShH-ja vlerëson se një sjellje e tillë ndaj këtij komuniteti përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe trajtim diskriminues. “Sjellja dhe veprime të tilla ndaj këtij komuniteti, lënia e tyre në një situatë pasigurie për jetën dhe në kushte të rënda atmosferike, për ditë me radhë, përbën shkelje të së drejtës së jetës, trajtim ç’njerëzor, degradues dhe diskriminues si dhe cënim të së drejtës për respektimin e jetës private dhe familjare, të drejta këto të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nga interesimi ynë pranë sektorit përkatës të Bashkisë Tiranë, u informuam se nga ana e tyre po ndiqet problemi, me qëllim  për t’u zgjidhur brenda hapësirave ligjore dhe mundësive reale që ata kanë”, vijon reagimi.

 Ky Komitet kërkon nga Bashkia e Tiranës marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të tyre. “Sugjerojmë gjithashtu që organet e qeverisjes vendore dhe atij qendror të marrin takim me këtë komunitet dhe t’i sqarojnë ata  për shkakun e lëvizjes së tyre, si dhe për masat që mendohet të merren dhe afatin e plotësimit të tyre”, thuhet në deklaratë./Start/

                                                                                             2012-02-01 15:07
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›