E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit mbështesin zgjedhjen e drejtuesve me votë

Tiranë- Komuniteti i mësuesve, në shumë qytete të vendit, mbështet idenë e ndryshimit të ligjit për arsimin parauniversitar dhe sanksionimin e zgjedhjes së drejtuesve të arsimit dhe atyre të shkollave përmes votës. Emërimi piramidal i drejtuesve, ka bërë që politika të ketë ndikim të fortë në arsim dhe politikën e kuadrit.

Alternativa Civile, një lëvizje e organizuar nga Forumi i Mendimit të Lirë, një organizatë që përmbledh pjesëmarrës në Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombetar, një program i rëndësishëm shkëmbimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, ka propozuar, që në projektligjin e ri që po hartohet për arsimin parauniversitar, në nenin që përcakton emërimin e drejtorit të arsimit dhe drejtorit të shkollës të sanksionohet si më poshtë:

1- Drejtori i Njësisë Arsimore Vendore, të zgjidhet me votim nga komuniteti i mësuesve i kësaj njësie vendore. Kandidatët duhet të plotësijnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trainimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2- Drejtori i Institucionit Arsimor, të zgjidhet me votim nga komuniteti i prindërve të këtij institucioni. Kandidatët duhet të plotësijnë kriteret e kërkuara nga ligji dhe trainimet e nevojshme që kërkon posti. Kandidaturat, nuk duhet të jenë të propozuara nga parti politike apo sindikata, por të jenë individuale. Mandati i drejtorit, të jetë jo më shumë se katër vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Në Nenin 66, pika 1, të draftiti që po hartohet, thuhet se: Drejtori i institucionit arsimor publik(shkollës), përzgjidhet me konkurim të hapur dhe ka mandat pesëvjeçar të përsëritshëm. Ai emërohet nga drejtori i njësisë arsimore vendore përkatëse(drejtori i arsimit të qytetit), pas propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga një komision i përbërë nga përfaqësues të grupeve të interesit. Kriteret për drejtor, procedura e përzgjedhjes dhe të emërimit si dhe përbërja e komisionit, përcaktohen nga ministri me akte nënligjore, pasi merret paraprakisht mendimi i KKAP (Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar).

Por ekspertët e arsimit thonë se pavarësisht, se përdoret termi përzgjedhje me konkurim, sërish drejtori i shkollës do të jetë një njeri politik, derisa ai emërmohet nga drejtuesi i arsimit në qytet, i cili gjithashtu emërohet nga Ministri i Arsimit.

Alternativa Civile ka ndërmarrë një tur takimesh me komunitetin e mësuesve në qytete të ndryshme të vendit për të vjelur mendimin e tyre lidhur me propozite e bëra. Mësuesit, të bërë shpesh viktima të shkarkimeve nga puna për motive politike, e mbështetën këtë ide, duke e parë si një mundësi të mirë për t’i shkëputur një hallkë të fortë kontrollit të politikës mbi sistemin arsimor. Mësues të shkarkuar nga puna, gjatë një takimi që u zhvillua në qytetin e Lushnjes, thanë se zyrat e kuadrit tashmë janë zhvendosur nga drejtoria arsimore në ato të partisë në pushtet, ku hartohen edhe listat e mësuesve që duhet të shkakrohen dhe atyre që duhet të emërohen.

Propozimet ligjore për çështjen e arsimit, janë hapi i parë i Alternativës Civile, e cila synon të angazhojë në fushatën e saj pjesmarrës në të gjithë programet e shkëmbimit të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë këtu Programin e Lidershipit të Vizitorit Ndërkombëtar, Programet akademike Fulbright dhe Humphrey, Programin e shkëmbimit dhe studimit të të rinjve (YES), Programin e shkëmbimit të pedagogëve të rinj (JFDP), etj.

Shkrime të tjera me interes:

  1. Alternativa Civile: Drejtorët e arsimit jo politikë, të zgjidhen me votë Sot në Shqipëri, çdo lloj organizimi publik ka në themel...
  2. Denoncim: Mësuesit janë bërë si gjobëvënës Elbasan – Kurset private që zhvillojnë mësuesit me nxënësit e...
  3. Që politika të mos vazhdojë të fusë duart në shkollë (Një ftesë për debat mbi idenë e Alternativës Civile) —-Mentor Kikia— Gjatë fushatave elektorale, këto janë skena të zakonshme....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›