Fana në KLD, opozita kërcënon me bojkot të reformës në drejtësi
Opozita kërcënoi dje me bojkot të reformës në drejtësi nëse shumica vazhdon të shkelë procedurat parlamentare. Shkak është bërë diskutimi i kandidaturës së Neshat Fanës për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të cilin nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, pretendoi procedura të kundraligjshme. Në muajin nëntor të vitit të shkuar, në Kuvend u paraqitën dy kandidatura, Alfred Karamuça dhe Maks Haxhia. Karamuça ishte propozim i 28 deputetëve të djathtë, ndërsa Maks Haxhia gëzonte mbështetjen e të dyja palëve. Por tërheqja e Pashk Ujkës nga firma e tij për Haxhinë bëri që kandidatura e tij nga ana procedurale të mos ishte e rregullt. Por PS-ja pretendon se ka sjellë edhe 20 firma të tjera për ta bërë kandidaturën të vlefshme. Ndërkohë që katër deputetë të PD-së i kanë tërhequr firmat nga kandidatura e Karamuçës. Vetëm para pak ditësh në Kuvend është paraqitur kandidatura e Neshat Fanës, që duket se gëzon mbështetjen e mazhorancës. Duke qenë se dy kandidatët e parë nuk i kanë firmat e mjaftueshme, Komisioni i Ligjeve mori në shqyrtim vetëm kandidaturën e Neshat Fanës, duke e miratuar atë në mungesë të opozitës e cila qysh më parë braktisi komisionin. “Sepse e gjithë kjo skemë e ndërtuar ka për detyrë që t’i imponojë Kuvendit një kandidaturë të vetme, gjë që do të thotë se do të shkelë konkurrencën normale. Ne do ta kundërshtojmë edhe në rast se Parlamenti e voton, pasi kjo gjë është e paligjshme, si pasojë e një procesi të paligjshëm. Nëse vazhdohet kështu, ne nuk mund të jemi dhe nuk do të jemi pjesë e një tavoline të reformës për drejtësi, e cila do të plotësonte interesat e ngushta të grupit tuaj politik”, - tha deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. Duke akuzuar Kryetaren e Kuvendit, Topalli, se e ka bërë këtë shkelje me qëllim që në seancë të shkonte vetëm kandidatura e Fanës, deputeti socialist tha se firmat janë mbledhur edhe për Maks Haxhinë, procedura për të cilin ende nuk ka nisur.