E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen gjykatat, togat e zeza ikin me pushime

TIRANE - Përfundon viti juridik, gjyqësori nis pushimet verore. Dita e djeshme ishte e fundit për funksionimin normal të punës nëpër gjykata, ndërsa sot puna nëpër gjykata ndërpritet tërësisht për të rifilluar në muajin shtator. 

Tashmë është bërë traditë që togat e zeza të pushojnë së funksionuari gjatë muajit gusht duke marrë pushime, ndërsa puna ndërpritet tërësisht deri më datë 10 shtator, kohë kur gjyqtarët duhet të kthehen detyrimisht në punë. E para që rikthehet në punë pas pushimeve një mujore është administrata e gjyqësorit, të cilët e rinisin punën më datë një shtator. Gjatë kësaj kohe kryhen procedura administrative si numërtimi i dosjeve, përgatitja e njoftimeve të palëve, dëshmitarëve apo institucioneve të tjera, që ndodhen në procese gjyqësore. Ndërsa pas datës 10 shtator puna rinis normalisht. Gjatë muajit gusht nëpër gjykata qëndrojnë në punë një numër i vogël sekretaresh dhe ftuesish, pjesë e administratës së institucioneve të togave të zeza, të cilët kujdesen për regjistrimin e padive të ndryshme, dosjeve penale të dorëzuara nga organi i akuzës, të cilave u kalon afati ligjor si dhe kërkesave penale që depozitohen nga institucionet apo qytetarët. Përsa i përket togave të zeza, nëpër gjykata çdo ditë do të jenë në punë nga një gjyqtar i gatshëm, i cili do të shqyrtojë masat e sigurisë dhe kërkesat e ndryshme që u kalon afati ligjor. Po kështu këta gjyqtarë do të shqyrtojnë edhe kërkesat për lëshim urdhra-mbrojtje të qytetarëve, që rrezikohen apo dhunohen nga familjarët e tyre. Me të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe Prokuroria, e cila gjatë ditëve të verës do të ketë në detyrë vetëm prokurorët dhe oficerët e gatshëm, që do të ndjekin ngjarjet e ditës.  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›