E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fara e misrit, me difekt gjenetik. S mund ta zbulonim”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Ministria:
I kemi asgjësuar më parë “Agroblendit” 170 kuintalë fara misri
Agroblend:
“Futim në vend vetëm fara të standartizuara nga BE”

“Agro Blend ka marrë përsipër të zhdëmtojë prodhimin e munguar të misrit për gjithë fermerët që kanë mbjellë farën e misrit “Aliseo”, të ardhur nga Franca”. Pas vetë kompanisë, edhe Ministria e Bujqësisë garanton dëmshpërblimin prej firmës.

Ndërkaq, institucioni më i lartë, që përgjigjet për çështjet e bujqësisë dhe mbrojtjen e fermerëve, pretendon se nuk ka asnjë detyrim ndaj fermerëve të dëmtuar, pasi marrëdhënia e tyre nuk ka qenë me shtetin “Shteti dhe Ministria e Bujqësisë, prej 18 vjetësh as nuk shesin e as nuk shpërndajnë farë. Nuk ka më bujqësi shtetërore, s është më toka shtetërore, por private”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Në kundërthënie me pohimin e mësipërm të mosangazhimit e të zhbërjes së përgjegjësive, se bujqësia nuk është më shtetërore edhe pse kemi një ministri bujqësie (çuditërisht shtetërore!), në deklaratë thuhet se shteti kontrollon ashpër farat dhe fidanët. “Sivjet, në muajin maj, shteti (pra Ministria e Bujqësisë) ka asgjësuar 1237.7 kuintalë farë misri si e papërshtatshme për mbjellje, të futur nga 12 kompani importuese. Siç e shihni, në futjen e farës së misrit nuk ka kurrfarë monopoli, pasi në vend janë 27 kompani të tilla dhe në këtë sasi të asgjësuar, edhe kompanisë Agroblend i kemi asgjësuar 170 kuintalë farë misri të dy llojeve të tjera”, thuhet në deklaratën ministrore.
Por si ka mundësi që, me gjithë kontrollet e rrepta të shtetit, del një farë që shterpëson fushat e misrit?
Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, thotë se shteti kontrollon dhe bën analiza për farat, për fuqinë mbirëse dhe kriteret e tjera që duhet të plotësojë, por nuk bën analizat gjenetike të farave, gjë që nuk e bën asnjë vend në Rajon. “Ato do të bëhen në Francë nga kompania që ka eksportuar tek kompania “Agroblend”. “Fara e mbjellë ka dhënë tallë të mirë mbi 1.5 metër, boçe të mira, por nuk ka lidhur kokrra. Në këtë rast, fara ka defekt se e ka mashkullin steril.”

Zëdhënësi Shahu
Import farash nga Serbia? Nuk është herezi
“Shqipëria prodhon 250 mijë tonë misër, importon 70 mijë tonë. Misri në Shqipëri përdoret mbi 99 përqind për blegtorinë dhe jo për bukën e përditshme. Shqipëria nuk është e varur nga Serbia për misër por edhe nëse importojnë tregtarët nga Serbia misër, nuk bëjnë herezi se tregjet janë të hapura dhe tregtarët duan të fitojnë.”

Agro-Blend: Shpërblimi i fermerëve, pas verifikimit të parcelave
“Nuk janë mijëra ha, por deri tani vetëm 100 ha”

Kompania “AgroBlend”, në bashkëpunim me Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidaneve si dhe Drejtorinë e Bujqësisë së Qarqeve ka nisur evidentimin e saktë të sipërfaqeve të fermerëve, që kanë mbjellë misër “Aliseo”, i cili ka patur probleme në lidhjen e kokrrave.

Kompania “Agro Blend”, nëpërmjet një deklaratë të djeshme ka pranuar se fara e misrit “Aliseo” ka patur probleme në lidhjen e kokrrave, por është justifikuar duke thënë se fara e misrit që ajo ka importuar, është e çertifikuar nga ISTA dhe OECD, dy organizmat kryesore të çertifikimit të farërave në Europë, dhe se kjo farë është e importuar nga prodhuesi më i madh në Europë për farën e misrit, nga kompania “Limagrain”. Ndonëse kompania “Agro Blend” ka pohuar se e ka importuar këtë farë konform standardeve të Komunitetit Europian, nga verifikimi ka dalë se fara e misrit nuk ka qenë e rregjistruar sipas rregullave.
Kompania ka bërë të ditur, se pas evidentimit të saktë, do të bëhet edhe dëmshpërblimi i fermerëve, duke u bazuar në rendimentin mesatar të publikuar në buletinin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për vitin 2007.
Pasi u konstatua për herë të parë ky fenomen, kompania franceze dërgoi menjëherë specialistët e saj për verifikimin e problemit. “Kompania franceze po bën analizat gjenetike për të gjetur shkakun e mospjalmimit të këtij loti misri të importuar nga ne”, thuhet në deklaratën e kompanisë “Agro Blend”.
Gjithashtu, kompania ka premtuar se do t i dëmshpërblejë fermerët, pavarësisht se kur do të përfundojnë analizat, dhe kjo gjë do të bëhet, pasi të ketë verifikuar saktë në vend, të gjitha parcelat ku ka patur problem me mospjalmimin e Hibridit “Aliseo”.
“Ne kemi dhënë kontribut mjaft të madh në zhvillimin e bujqësisë shqiptare prej shumë vitesh duke sjellë teknologjitë më të përparuara dhe duke furnizuar gjithmonë me mallra cilësorë , pavarësisht këtij problemi që është jashtë përgjegjësisë sonë”, thuhet në deklaratën e “Agro Blend”, e cila shfajësohet me faktin se nuk është ajo prodhuese farërash.
Sipas përfaqësuesit të “Agro-Blend”, në përgjigje të skandalit të farës së misrit, nuk kemi të bëjmë me “mijëra hektarë” dhe se “deri tani kemi rezultate vetëm për 100 ha në të gjithë territorin:, sasi kjo që, është e papërfillshme krahasuar me sipërfaqen prej 60-70 mijë ha misër që mbillen në Shqipëri dhe për këtë arsye i “ashtuquajturi skandal i misrit” nuk ka ndikim në prodhimin kombëtar të misrit.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›