Radhën e ka Franca

Fitorja ndaj Malit të Zi e ka ngritur moralin në taborin Kuqezi, pas dy humbjeve rresht nga Bosnja e Hercegovina e Argjentina. Protagonistët e Kombëtares shqiptare ndihen të kënaqur me fitoren ndaj malazezëve, 3:2, të dytën në harkun kohor njëvjeçar. Ndërkohë, ata kanë filluar të mendojnë menjëherë për sfidën e radhës, atë ndaj Francës, në kuadër të eliminatoreve për Euro 2012, e cila zhvillohet më 2 shtator.
“Patëm momente të mira dhe jo të mira. Kjo është një fitore me shumë vlera, pasi kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë. Franca? Do të jetë ndryshe, por gjithsesi, dëshirojmë të marrim një rezultat të mirë”, deklaroi pas ndeshjes selektori Josip Kuze, i cili në 11 ndeshje miqësore me Kombëtaren ka regjistruar 6 fitore, 3 barazime e 2 humbje.
Kapiteni Lorik Cana ndihet i kënaqur me lojën që bënë shokët e skuadrës. Ai kërkon përkushtim më të madh për sfidën ndaj francezëve. “Arritëm të përmbysnim rezultatin dhe ta fitonim një takim që nuk ishte i lehtë. Franca është tjetër skuadër, ndaj duhet të përqendrohemi më shumë”, tha futbollisti i Lazios.
Heroi i Shqipërisë, Hamdi Salihi nuk është ngopur së shënuari. Pasi realizoi 5 gola me Rapid Vjenën në Kupën e Austrisë, sulmuesi shqiptar shënoi një gol fantastik ndaj malazezëve. Ai synon të shënojë edhe kundër Francës, muajin e ardhshëm. “Jam i lumtur që shënova në Shkodër. Ishte një ëndërr e vjetër. Shpresoj të shënoj dhe ndaj Francës”, tha 25-vjeçari, për të cilin ky ishte goli i tetë me Kombëtaren, u barazua me ish-mbrojtësin Adrian Aliaj.
Ndërsa, sulmuesi tjetër, Erjon Bogdani, i cili e shënoi njërin nga golat e Shqipërisë në fitoren ndaj Malit të Zi, beson se ekipi i Josip Kuzes mund ta mposhtë Francën.
MT: Kranjcar: Humbëm për shkak të tifozëve
Selektori Zlatko Kranjcar e ka arsyetuar humbjen e Malit të Zi nga Shqipëria me rezultat 3:2, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Shkodër. Trajneri kroat thotë se ndërprerja e ndeshjes për një moment, ku nuk munguan hedhjet e gjësendeve në fushë, e bëri të veten. Ai është i kënaqur me lojën e skuadrës malazeze.
“Ne ishim shumë pranë fitores, dhe me avantazhin që krijuam, mund dhe duhej ta fitonim ndeshjen, por te ne ndikoi së tepërmi në aspektin psikologjik, ndërprerja e lojës në minutat e incidentit të tifozerisë me hedhjet e shisheve në fushë, gjë e cila u shfrytëzua më së miri nga shqiptarët që me shënimin e dy golave të mrekullueshëm nga Hyka dhe Salihi, e merituan fitoren”, u shpreh Kranjcar.
Kurse, sulmuesi Stevan Jovetic është i zhgënjyer me lojën që bënë malazezët. Ai është i bindur se ekipi i Kranjcarit mund të luajë më mirë. “Mendoj se kemi luajtur dobët, mundemi më mirë. Megjithatë, ndoshta është më mirë që kjo të na ndodhë tani, sesa në kualifikime. Ka pasur gjëra pozitive, por mundemi edhe më mirë”, tha sulmuesi i Fiorentinës, i cili nuk është i kënaqur sa duhet as me paraqitjen personale.