Kombëtarja në Loro Boriçi, festë dhe zhgënjim në Shkodër
Shkodranët kanë festuar fitoren e kuqezinjve, por kanë mbetur të zhgënjyer nga organizimi i ndeshjes nga FSHF
Nga Gjergj KOLA
Kanë qenë vetë malazezët ata që kanë ngulur këmbë për ta luajtur ndeshjen miqësore me përfaqësuesen tonë pikërisht në Shkodër, në qytetin më të afërt shqiptar, ku fqinjët tanë kanë shumë tifozë të tyre. Por ndeshja e luajtur mbrëmjen e së mërkurës në Loro Boriçi nuk ka qenë e bardhë në të gjitha aspektet.
Shishet e shumta të ujit, që janë hedhur në fushë në drejtim të gjyqtarit anësor, apo dhe drejt futbollistëve miq, kanë qenë të panevojshme. Për të mos thënë që është një gjest i rëndë, aq sa në një moment ndoshta malazezët mund të kenë menduar edhe braktisjen e ndeshjes.
Megjithatë, në fund ka pasur shtrëngime duarsh, dhe kjo ka rëndësi. Goli i shkëlqyer i Hamdi Salihit (do të mbahet mend gjatë), fitorja e Shqipërisë dhe festa e zhvilluar në Shkodër pas ndeshjes janë elementët e bukur të kësaj përballjeje, por kuptohet që duhen evidentuar edhe gjërat që sollën jo pak zhgënjim.
Organizimi, shumë vend për diskutim
Çështja e shitjes së biletave është një histori tjetër, por punët nuk kanë çaluar vetëm në këtë pikë. Federata Shqiptare e Futbollit, nga sa u pa, ndoshta nuk e ka ditur se ndeshja luhej në Shkodër. Mosrakordimi i mirë i punëve me klubin e Vllaznisë dhe me elementët e tjerë ka bërë që shumë gjëra të mos shkojnë siç duhet.
Ndonëse ishin akredituar shumë gazetarë e fotoreporterë nga Tirana, në këtë ndeshje vetëm njëri prej tyre ka qenë i pranishëm. Bërja e fotove zyrtare e ekipit tonë përfaqësues u duk e pakuptimtë për faktin se mungonin fotografët, ndërkohë që për malazezët kishte dyndje të njerëzve të medias.
Nuk kanë mundur të jenë në stadium shumë pjestarë të medias lokale në Shkodër me pretekstin e mungesës së akreditimit (nga Tirana kishte ardhur vetëm një gazetar)!!! Nga ana tjetër, forcat e sigurisë së stadiumit për pak sa nuk shkaktuan një incident me presidentin e futbollit malazez, të madhin Dejan Saviçeviç, të cilin nuk deshën ta linin të hynte në stadium(?!).
Edhe konferenca e shtypit pas ndeshjes ka lënë shumë për të dëshiruar. Trajnerit i Malit të Zi u paraqit në konferencë pa përkthyes e po ashtu ajo nuk u zhvillua, ngaqë vendi ishte mbipopulluar nga tifozët e kësaj skuadre, që vetëm brohorisnin për skuadrën e tyre. Ka pasur edhe shumë gjëra të tjera që kanë lënë një shije jo të mirë për këtë ndeshje, si vendosja e dy tifozërive të zjarrta respektive në pjesën pas porte dhe lënia e tribunës përballë thuajse bosh.
Biletat, gabimi i madh i FSHF-së
E nisim nga çmimi i biletave. Për një ndeshje miqësore me Malin e Zi, çmime të tilla si 12 mijë apo 8 mijë lekë (të vjetra) janë shumë të shtrenjta. Sidomos për Shkodrën, një qytet i cili dallohet për një nivel jetese të ulët.
Transmetimi live në Televizionin Publik, oraret e përarfërta me ndeshje të tjera të rëndësishme botërore (Gjermani-Brazil, Itali Spanjë), kanë bërë që në shkallët e Loro Boriçit të jenë të pranishëm jo më tepër se 3500-4000 tifozë.
Një numër i tillë i vogël ka ardhur edhe për shkak të mosmenaxhimit të mirë të shitjes së biletave. Kompania që është marrë me shitjen e tyre ka gabuar shumë.
Tifozët shkodranë, që shkonin në stadium për të blerë biletat, habiteshin kur dikush u thoshte se biletat shiten në dyqanet e kompanisë PLUS, që ndodheshin shumë larg këtij impianti sportiv.
Për rrjedhojë, në ambientet rrotull stadiumit është bërë rrëmujë e madhe. Kishte njerëz që shtyheshin për të hyrë brenda, të tjerë që shanin FSHF-në për mënyrën e organizimit dhe një pjesë e konsiderueshme (mbase një shifër prej 2 mijë vetësh) u kthye për ta parë ndeshjen në ekranin e televizionit.
I pakuptimtë ky vendim i kompanisë për të eksperimentuar zgjidhje të tilla në Shkodër dhe për tu hequr mundësinë tifozëve kuqezinj për të parë kombëtaren e tyre.
Për rrjedhojë, vetë federata duhet ta shohë mbase ndryshe këtë çështje për ndeshjet e ardhshme të saj. Franca është në prag dhe situata të tilla nuk do të ishin aspak normale.
Tifozët Kuq e Zi, dy anët e medaljes
Në stadium kanë qenë pak të dhunshëm. Në një moment, në fillim të pjesës së dytë, ata nuk kanë hezituar të hedhin shishe uji në fushë, duke bërë që loja të ndërpritej për disa çaste.
Për fat të mirë, ka qenë thjesht një miqësore dhe çdo gjë ka kaluar paq. Grupimi Tifozët Kuq e Zi, të vendosur në tribunën anësore, nuk kanë ngurruar për ta mbështetur fuqimisht kombëtaren tonë. Fillimisht kanë nxjerrë një fotografi të madhe të policit të vrarë në Mitrovicë pak ditë më pare, ku shkruhej: Lavdi Dëshmorit të Lirisë.
Pak më vonë, nuk kanë munguar thirrjet Shqipëri Etnike, ndërkohë që ka pasur edhe thirrje kundër Serbisë (në fakt, pa shumë lidhje, këto sepse ndeshja luhej ndaj Malit të Zi). Megjithatë, pavarësisht këtyre detajeve, ky grupim i tifozëve të zjarrtë të kombëtares sonë është grumbulluar në qendër të qytetit të Shkodrës pas përfundimit të ndeshjes dhe për gati një orë ka festuar fitoren e arritur.
Emocione të shumta ka pasur në momentin kur pranë sheshit te Shatërvani i Ri ka kaluar autobusi me futbollistët e kombëtares sonë. Autobusi është detyruar të ndalet për pak minuta mes tifozëve dhe festa i ka elektrizuar edhe më tepër ata.
Kombëtarja shqiptare, mysafire në lokalin e Salihit
Pas ndeshjes me Malin e Zi, kombëtarja kuqezi nuk e ka marrë menjëherë rrugën për në Tiranë. Me tu larguar nga stadiumi Loro Boriçi, ajo është drejtuar për në qendër të qytetit, pikërisht për te rruga pedonale, që ndodhet në zonën muzeale të Shkodrës.
Pikërisht aty ndodhet Fontana, lokali i Hamdi Salihit, njeriut të mbrëmjes me Malin e Zi. Sulmuesi i Rapidit të Vjenës i ka ftuar shokët e tij (edhe pjesëtarët e tjerë të stafit) për të pirë diçka.
Një qerasje jo për ditëlindje, as për fejesë e martesë, thjesht për të ndarë me pjesëtarët e kombëtares gëzimin e madh që ka ndier mbrëmjen e së mërkurës, kur ka shënuar një eurogol pikërisht në qytetin e tij të lindjes, duke i dhënë një gëzim të madh të gjithë shqiptarëve anembanë botës.
Fontana, në fakt, duket se është shndërruar në një hajmali për kuqezinjtë. Ata edhe para ndeshjes së luajtur një vit më parë në Podgoricë, u ndalën aty për të kaluar disa çaste dhe për të marrë fatin me vete.
Shqipëria më pas fitoi 1-0 dhe shënoi sërish ai, Hamdi Salihi. Kështu ndodhi edhe këtë herë. Pasi kanë pirë diçka, pjesëtarët e kombëtares sonë kanë lënë Shkodrën, por jo të gjithë. Klodian Duro ka qenë mik atë mbrëmje në shtëpinë e Hamdi Salihit. Dje, në mëngjes, së bashku kanë lënë këtë qytet për destinacionet përkatëse.
Mutu dhe Tamash, Picurka i përjashton përjetë
Qëndrimi i trajnerit rumun, Viktor Picurka, ndaj dy futbollistëve kryesorë të përfaqësueses rumune, Adrian Mutu dhe Gabriel, ka qenë shumë i rreptë.
Ata janë përjashtuar përjetë nga përfaqësuesja rumune, sepse janë vonuar 35 minuta në grumbullim, një ditë para miqësores me San Marinon, pasi kanë konsumuar alkool dhe kanë qenë të dehur.
Ndonëse Federata Rumune e Futbollit nuk është shprehur akoma për këtë çështje, trajneri Picurka ka nxituar për ti përjashtuar të dy futbollistët në fjalë.
Të dy lojtarët përjashtohen përjetë nga kombëtarja rumune. Më vjen shumë keq, por rregullat janë të tilla dhe duhet të zbatohen nga të gjithë. Mutu dhe Tamash janë munduar ta zbutin situatën, duke i kërkuar falje trajnerit, por vështirë