E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i aksit Kalimash-Morinë, gati shembja e 31 objekteve

KUKËS – Nis prishja e 13 shtëpive të banimit dhe 18 objekteve të biznesit që ndodhen përgjatë trasesë së rrugës Kalimash – Morinë, mbi të cilën do të ndërtohet autostrada. Burimet zyrtare të Inspektoratit të Ndërtimeve pranë Bashkisë së Kukësit bëjnë të ditur se ka filluar puna për prishjen e tyre, ndërkohë që po përgatitet dokumentacioni për kompensimin e pronarëve të trojeve dhe objekteve që do të shemben. Kjo ndërhyrje zgjidh një nga problemet kryesore, i cili deri tani ka penguar përshpejtimin e punimeve në segmentin rrugor Morinë - Kukës - Kalimash. Ky proces ka filluar me prishjen e një pike karburanti, në afërsi të fshatit Bardhoc, nga vetë pronari Skënder Nerguti. Po ashtu, është prishur edhe një shtëpi banimi, pronë e shtetasit Ylber Nerguti. Përgjegjësi rajonal i Inspektoratit të Policisë Ndërtimore, Albert Omuri, tha: "Procesi i prishjes së ndërtimeve, qofshin këto banesa apo biznese private, do të përshpejtohet në ditët e ardhshme. Për këtë janë informuar të gjithë pronarët, ndërsa është përshpejtuar edhe procesi i miratimit të dokumenteve që duhen për dëmshpërblimin e tyre"."Një gjë e tillë zgjidh edhe problemin e fundit, që ishte bërë deri tani pengesë për vazhdimin normal të punimeve në autostradë", - tha Omuri. "Për të gjitha ndërtimet që ndodhen përgjatë autostradës nuk ka problem të pazgjidhur, fondi i shpronësimit për segmentin Kalimash - Kukës – Morinë, i akorduar nga buxheti i shtetit, është 281 milionë lekë, çka mundëson dëmshpërblimin sipas ligjit të të gjithë pronarëve që preken nga ndërtimi i kësaj rruge", - tha përgjegjësi i zyrës së kompetencave vendore në Prefekturën e Kukësit, Shkëlqim Dulla.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›