“Pranvera 2008” kap pesë makina luksoze
DURRËS - Forcat e policisë së Durrësit kanë bllokuar gjatë natës së kaluar pesë automjete, që dyshohet se janë trafikuar nga vendet fqinjë, ndërkohë që 1 person është arrestuar dhe katër të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se operacioni i koduar “Pranverë 2008”, i cili nisi dy ditë më parë me arrestimin e tre personave të implikuar në trafikun e automjeteve dhe falsifikimin e dokumenteve, ka vazhduar edhe gjatë 48 orëve të fundit. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se një person është arrestuar nën të njëjtën akuzë dhe katër të tjerë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Sipas të njëjtave burime janë bllokuar në cilësinë e provës materiale katër automjete tip “BMW” dhe një tjetër tip “Jaguar”. Operacioni i koduar “Pranverë 2008” vazhdon duke u shtrirë në disa qytete. Prej disa kohësh, agjentët e krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit po hetojnë në lidhje me trafikimin e automjeteve nga Italia në Shqipëri, ku rezulton të jenë përfshirë trafikantë nga të dy vendet.
14 Mars 2008