Lirohen dhunuesit e imamit të Kirasit
SHKODËR – Tre të rinj, pasi janë marrë në pyetje nga policia e Shkodrës në lidhje me keqtrajtimin e imamit të Kirasit, janë lënë të lirë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se janë shoqëruar në komisariat shtetasit “Shkëlzen G, 37 vjeç, Ylli B. 30 vjeç dhe Artan L. 37 vjeç, të tre lindur dhe banues në Shkodër, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur me mjete të forta imamin 30-vjeçar D.R., me detyrë në xhaminë e lagjes Kiras, në qytetin e Shkodrës. Sipas këtyre burimeve, ata dyshohet të kenë keqtrajtuar imamin më 7 mars të këtij viti. Burime në grupin hetimor bëjnë të ditur se konflikti mes tre personave dhe klerikut mysliman nisi pas një debati të shkaktuar për motive të dobëta. Kaq ka mjaftuar që 30-vjeçari D.R., lindur në Kukës dhe banues në rrethin e Tiranës, të kërkojë ndihmën e policisë. Pas denoncimit të bërë në Komisariatin e Shkodrës, tre të rinjtë janë shpallur në kërkim dhe vetëm ditën e mërkurë është bërë i mundur ndalimi i tyre. Thuhet se ka qenë kërkesa e vetë imamit të Kirasit që të lihen të lirë tre personat. Burimet zyrtare të policisë mohojnë faktin që konflikti të ketë ndodhur për motive fetare.
Gërmimet në rrugë nxjerrin 10 predha luftarake, ushtria nis kërkimet
SARANDË - Punëtorë dhe drejtues të mjeteve të rënda, që punojnë për zgjerimin e rrugës së bregdetit që të çon në plazhin e Kakomesë, rreth 12 km nga Saranda, kanë hasur në një sasi predhash luftarake, që i kanë nxjerrë gjatë gërmimit me ekskavator. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Sarandës thanë se njoftimin e kanë bërë dy prej punëtorëve të firmës "Gjoka", që është duke zbatuar projektin e rikonstruksionit të rrugës Sarandë-Qeparo në lotin Nr.2. Leonard Muka, shef i rendit në Komisariatin e Policisë së Sarandës, konfirmoi se është ngritur një grup pune me ekspertë xhenierë, të cilët kanë shkuar në vendin ku u zbuluan predhat. "Ato janë bllokuar dhe jemi në pritje të një specialisti me aparat minakërkues për të bërë kërkim në të gjithë territorin, pasi ato mund të jenë të rrezikshme në raste shpërthimi", - u shpreh Muka, duke nënvizuar se predhat mendohet se i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Mësohet se zbulimi i 10 predhave është bërë shkak që sot të ndërpriten nga policia punimet e firmës në këtë vend.
14 Mars 2008