Fasonistët kërkojnë mbështetje nga GTZ-ja
Prodhuesit e veshjeve në Shqipëri kërkojnë mbështetje nga GTZ, për të trajnuar punonjësit e kësaj sipërmarrjeje, si dhe bashkëpunim në projekte të përbashkëta me biznese gjermane të të njëjtit lloj. Një përfaqësi e Bordit të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, e kryesuar nga nënkryetari Sajmir Bidaj dhe anëtarët e Bordit, Shqipe Dani e Flamur Hoxha, zhvilluan dje një takim pune me përfaqësuesen gjermane të GTZ - Programi i Zhvillimit Ekonomik, znj. Sibylle Tilsch. Përfaqësuesit e Bordit Drejtues të DHKPV shprehën interesimin për rritjen e këtij bashkëpunimi dhe sidomos për rritjen e përfitimeve nga përvoja e biznesit gjerman. Ata kërkuan që kompanitë gjermane që shprehin interesim për të investuar në Shqipëri duhet ta njohin më mirë tregun e fasoneve dhe kostot e tij dhe për të qenë konkurrues duhet të aplikojnë për partnerët e tyre shqiptarë çmime konkurruese të produkteve dhe shërbimeve që përfitojnë, të cilat të mos jenë nën nivelin e atyre që ofrojnë, për shembull, investitorët italianë apo grekë. Nga ana e DHKPV u kërkua që të mendohet edhe për investime gjermane në teknologji për shkak të pamundësisë së kapitalit vendas për teknologjitë e reja dhe të mos mendohet vetëm për të përfituar nga tregu i lirë i krahut të punës. Nga ana e saj, përfaqësuesja gjermane e GTZ, znj. Tilsch, iu përgjigj interesimit të nevojës për bashkëpunim të kompanive shqiptare me një projekt të ri bashkëpunimi që fillon prej qershorit të vitit 2009 deri në fund të vitit 2012, i cili është duke u hartuar. Përfaqësuesja e lartë e GTZ-së vlerësoi organizimin e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, u interesua për kuadrin ligjor të organizimit të saj dhe premtoi rritjen e bashkëpunimit mes GTZ dhe DHKPV. Ajo tha se qeveria gjermane mbështet disa projekte në Shqipëri, si ato në fushën e Turizmit, Teknologjisë, Informacionit, si dhe të Prodhimit të Veshjeve dhe se biznesi gjerman ka interes të investojë në Shqipëri në këto fusha. Znj. Tilsch kërkoi të njihej me problemet konkrete të biznesit fasonist, si dhe nevojën e këtij sektori për rritjen e bashkëpunimit me projektin e GTZ. Ajo mbajti shënim shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e DHKPV dhe premtoi hartimin e një projekti konkret dhe të frytshëm bashkëpunimi për tre vitet e ardhshme.
Olldashi: Nis së shpejti projekti i sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe
Projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe, një investim ky prej 66.2 milionë eurosh, shumë shpejt do të nisë nga zbatimi i tij. Kjo është qartësuar dje nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili deklaroi dje gjatë përurimit të fazës së parë të projektit "Menaxhimi i mbetjeve urbane të Tiranës" se, në kuadër të përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe shumë shpejt do të nisë zbatimi i projektit "Përmirësimi i Sistemit të Largimit të Ujërave të zeza për Tiranën e Madhe". Për ndërtimin e këtij projekti, qeveria shqiptare nënshkroi pak muaj më parë marrëveshjen me qeverinë japoneze, që do ta financojë atë, përmes një kredie prej 66.2 milionë eurosh. Kredia, që i jepet qeverisë shqiptare nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), është me terma të favorshme, me afat shlyerje prej 40 vjetësh, ndërkohë që vetëm pas 10 vjetësh do të fillojë shlyerja e principalit. Në fazën e parë të projektit synohet kryesisht qendra e Bashkisë së Tiranës, ku dhe ndërhyrja është më e nevojshme. Qyteti i Tiranës ka një sistem të vjetruar të kanalizimeve që daton nga vitit 1960 dhe nuk disponon asnjë impiant trajtimi të ujërave të zeza.