Fast food-et dhe restorantet, kontroll për kushtet higjieno-sanitare
Në zbatim të programit për “Stinën e nxehtë ‘08”, inspektorët dhe ndihmës-inspektorët sanitarë të Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP) të Tiranës kanë ushtruar kontrolle në subjektet e ushqimit social, kryesisht restorante dhe fast food-e.
Burime nga DSHP-ja bënë të ditur se gjatë kontrolleve në disa subjekte janë lënë proces-verbale me detyra dhe afate për përmirësime të kushteve higjieno-sanitare në objekte, ndërkohë që analizat bakteriologjike të ushqimeve kanë rezultuar "të pastra bakteriologjikisht" dhe të lejueshme për konsum.
Gjithashtu, DSHP-ja ka kryer një sërë kontrollesh edhe në disa linja të prodhimit të pijeve freskuese. Sipas burimeve, gjatë kontrolleve të ushtruara janë marrë 18 mostra pijesh freskuese dhe birre, të cilat kanë rezultuar pa probleme higjieno-sanitare.
Në zbatim të ligjit nr. 7643, dt. 02.12.1992 “Për shëndetin publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror” (i ndryshuar) dhe të Rregullores Higjieno-Sanitare nr.1, dt. 25.06.1993 të Ministrisë së Shëndetësisë “Për sektorin e ushqimit social”, të gjitha restorantet dhe objektet e tjerë të “Ushqimit social” (mensa-fast food-byrektore etj.), para fillimit të aktivitetit pajisen me leje higjieno-sanitare. Gjithashtu, produktet ushqimore (lëndë të para dhe produkte të gatshëm) duhet të jenë të rregullta, si për sa i përket vend-blerjeve, ashtu edhe për dokumentacionin shoqërues. Po ashtu, punonjësit e angazhuar në “Ushqimin social” pajisen me libreza shëndetësore individuale.
Për të gjitha shkeljet dhe kundravajtjet administrative sanitare, kur nuk përbëjnë vepër penale, nga inspektorët zbatohen dënime me gjobë, që për ekzekutim u dërgohen organeve të financës të pushtetit vendor. Ndërkohë, në bazë të Kodit të Procedurës Civile (neni 628), prodhuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga të metat e produkteve të tij që ka vënë në qarkullim.