Prishja e banesave te “Frigoriferi”, Shalsi: Po rishqyrtohet
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, duke folur për “standard”, deklaroi se do të shemben vetëm pallatet që janë në ndërtim
Vendimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës, që përcaktonte prishjen e të gjitha banesave dhe pallateve që ndikojnë në urbanistikën e zonës së Frigoriferit në Tiranë, do të rishqyrtohet, sipas nënkryetarit të bashkisë, z. Eduard Shalsi.
Duke folur për gazetën “standard”, Shalsi sqaroi se vendimi i KRRT-së është në proces rishikimi dhe se do të zbatohet ligji për zonat informale. “Por ka edhe raste ku ndërtohen pallate në këtë zonë. E kuptoj që kjo bëhet për një banesë njëkatëshe, nga një hallexhi deri në vitin 2005, por të ndërtosh një pallat ilegal në vitin 2008 mua më duket absurde”, – theksoi Shalsi.
Gjithsesi, ai la të hapur çdo mundësi, duke deklaruar se tashmë po shikohet mundësia e një projekti të ri, që nuk do të kishte kundërshti nga banorët. “Të gjithë jemi të të njëjtit mendim, që kjo zonë duhet të urbanizohet dhe që nuk duhet të ndikojmë në varfërimin e kujtdo, por nuk do të lejojmë vazhdimin e ndërtimeve informale në këtë zonë”, – tha Shalsi.
Zona informale
Zona e Frigoriferit është një zonë informale dhe si pasojë është “nën mbrojtjen” e ligjit për legalizim. Kjo do të thotë se asnjë shtëpi në këtë zonë, që është në proces legalizimi, nuk mund të prishet përpara se të përfundojë ky proces. Ligji në fjalë parashikon, se me përfundim të procedurave të legalizimit do të nisë urbanizimi i zonës, duke shpronësuar për interes publik, kundrejt dëmshpërblimit me vlerë tregu, të të gjitha banesave që do të duhet të prishen, për infrastrukturën e rrugës, duke nisur nga rrugët, shkollat, gjelbërimi etj.
Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës kishte marrë një vendim një muaj më parë, ku në pikën dy thuhet se “nuk kualifikohen për legalizim dhe miratohet prishja e ndërtimeve pa leje që pengojnë realizimin e projektit dhe urbanizimin e zonës sipas ligjit nr. 9842, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, neni 39””.
Por, pas kundërshtisë së hasur nga banorët, z. Shalsi tregon se vendimi po rishikohet dhe po dialogohet me qytetarët, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përbashkët.
Përplasja në Këshillin Bashkiak
Përpara pesë ditësh, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte përfshirë në rend dite ankesa e banorëve të zonës në lidhje me këtë çështje, por mbledhja përfundoi përpara se kjo pikë të diskutohej.
Në krah të banorëve është rreshtuar edhe deputeti i zonës, z. Besnik Mustafaj, i cili mori pjesë në mbledhje. Ai deklaroi se bashkia nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këtë zonë, pasi një vendim i tillë është i jashtëligjshëm.
“Ligji i legalizimeve parashikon legalizim e më pas urbanizim të këtyre zonave e për këtë arsye bashkia nuk ka asnjë të drejtë që të prishë qoftë edhe një shtëpi të vetme”, – deklaroi z. Mustafaj. Vendimi pritet të rishikohet ditët në vijim.