Peticion kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako
“Ndaloni pushtimin e plazhit publik nga privatët”
Dje paradite mbi 100 qytetarë të Durrësit kanë firmosur dhe dorëzuar tek kryetari i bashkisë Vangjush Dako një peticion, ku kërkojnë nga ai “ndalimin e pushtimit të plazhit publik nga privatë të palicencuar nga bashkia, nga persona që po gllabërojnë qindra metra katrorë me rërë në bregdet”. Sipas njërit prej tyre, Abdulla Deliallisi, “peticioni ynë synon sensibilizimin dhe veprimin urgjent nga ana e bashkisë dhe kryetarit të saj Dako, për të ndalur dorën e piratëve dhe atyre privatëve që nuk pyesin për ligjin, për respektimin e sipërfaqeve të caktuara nga kjo bashki, por nuk lejojnë asnjeri t’u afrohet çadrave të tyre”. Qindra qytetarë durrsakë, sidomos fundjavave, nisen me çadrat e tyre drejt plazhit, duke u sulur drejt sipërfaqeve të lira, apo atyre që kanë mbetur ende të tilla, por atje ndeshen me arrogancën e privatëve, personave që pretendojnë se “jemi pronarë të rërës”. Në peticionin e qytetarëve durrsakë thuhet se “me veprime të tilla, duke mos ndalur piratët e bregdetit, ju po na rrëmbeni rërën, ujin dhe mundësinë për të bërë plazh të lirë në tokë të lirë”. Peticioni i tyre synon të sensibilizojë edhe prefektin e Qarkut, Klodian Pajuni, të cilit dje gjithashtu iu dorëzua një kopje e tij. Qytetarët firmëtarë të peticionit u shprehën se “përse duhet të ndodhë kjo gjë çdo vit, përse rëra e plazhit privatizohet çdo sezon madje edhe nga zyrtarët e bashkisë, duke mos u lënë mundësi shumicës të plazhojë në sipërfaqet e lira”. Realisht në bashki nuk dinë dhe nuk japin një përgjigje zyrtare se sa është numri i saktë i plazheve private, si bëhet licencimi i tyre, kush janë personat që kanë dhe disponojnë plazhe private, sa është sipërfaqja e çdo plazhi privat, kur shumica e qytetarëve ankohet për mungesën e plazheve publike? Madje këtë sezon, sipas firmëtarëve të peticionit, midis plazheve private nuk gjen asnjë rrugë kalimi, asnjë shteg ku mund të kalosh lirshëm, pasi edhe atje privatët kërkojnë taksën e “rrugës”. Pagesa ditore e paracaktuar në plazhet private për çdo person është 300 lekë të reja, ndërkohë që kjo vlerë monetare mbetet për shumicën e plazhistëve ditorë nga Durrësi dhe zonat rreth tij, e papërballueshme. Firmëtarët e peticionit kërkuan nga kryetari i baskisë, Dako, ndërhyrjen urgjente për përmirësimin e situatës dhe frenimin e “orekseve” nga personat që pretendojnë pronësi edhe mbi rërën, edhe mbi detin.
Matura Shtetërore
Brenda javës dalin rezultatet e provimeve me zgjedhje
Rreth 32 mijë maturantë aktualisht janë në pritje të rezultateve të provimeve me zgjedhje, të cilat do të jenë gati brenda kësaj jave.
Specialistë të Ministrisë së Arsimit pohojnë se procesi i përllogaritjes së pesë komponentëve të Maturës, pritet të nisë menjëherë pas shpalljes së rezultateve për lëndët me zgjedhje, ndërsa listimi i fituesve për të vazhduar studimet e larta, në bazë të kuotave të pranimit, do të publikohet gjatë fillimit të muajit shtator.
Regjistrimet e kandidatëve për studentë në universitetet e vendit do të kryhen në shtator, bazuar në parimin Meritë-Preferencë (MeP). Ky proces do të zhvillohet me dy faza, me regjistrimin paraprak dhe përfundimtar.
Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare, të gjithë kandidatëve në degët përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor, të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë.
Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar në degën përkatëse, ata humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Këtë vit akademik do të regjistrohen 20 mijë studentë në shkallë vendi.
Zhvillohet sot konkursi për në Akademinë e Arteve dhe të Sporteve
Maturantët që kanë zgjedhur të konkurrojnë në Akademinë e Arteve të Bukura (AAB) dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” (AEFS), do t'i nënshtrohen sot konkurrimit. Nga kuotat e miratuara nga Këshilli i Ministrave rezulton se në degët universitare të arteve do të pranohen rreth 207 studentë të rinj, ndërsa në AEFS do të regjistrohen për vitin e ri akademik rreth 150 studentë.
Sipas drejtuesve të Akademisë së Arteve, rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind, ndërsa në Akademinë e Sporteve ky raport do të jetë 30 me 70 për qind.
Bazuar në propozimin e Akademisë së Arteve të Bukura, kandidati për student që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit për vitin e ardhshëm akademik. Në këtë akademi rëndësi themelore me rreth 65 për qind të pikëve, do të kenë aftësitë në varësi të degëve si, regji, aktrim, skenografi, koreografi etj.
Ndërsa kandidatët për studentë në Akademinë e Sporteve do të përballen me kritere të tjera në konkurrim, të cilat kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të tyre. Sipas burimeve të Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, kriteret kryesore që do të mundësojnë do të përmblidhen në një kartelë individuale, që do të përmbajë kërkesën për gjashtë vizita dhe kontrolle mjekësore.
Pajisje mjekësore për poliklinikat dhe ambulancat
Qendrat shëndetësore dhe ambulancat në vend do të përfitojnë pajisje të reja shëndetësore brenda këtij viti nga një projekt i Bankës Botërore për modernizimin e sistemit shëndetësor, me vlerë 1.495 milionë euro. Për blerjen e këtyre pajisjeve, Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë me firmën holandeze DRC.
Burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nga ky projekt do të përfitojnë mbi 600 qendra shëndetësore, 1500 ambulanca në fshatra dhe 10 poliklinika në Tiranë.
Në këtë mënyrë, për herë të parë të gjitha qendrat shëndetësore në vendin tonë, do të jenë të pajisura me aparaturat bazë të trajtimit mjekësor, të gjitha të teknologjisë së fundit. Blerja e pajisjeve mjekësore do të sjellë rritje të dukshme të cilësisë së shërbimit në të gjithë vendin, një nga angazhimet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë.
MSH-ja parashikon investime edhe në aspekte të tjera të modernizimit dhe shtrirjes së kujdesit shëndetësor. Pjesë e investimeve është vijimi i kontributit financiar për ndërtimin ose riparimet e qendrave shëndetësore në të gjitha rrethet e vendit, në varësi nga gjendja aktuale dhe kërkesat konkurruese të ardhura nga njësitë vendore. Gjithashtu, janë një sërë projektesh me donatorë nga vende të ndryshme, të cilat përfshijnë kualifikimin e stafit mjekësor, ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore, hapjen e shërbimeve të reja dhe rritjen e nivelit të parandalimit dhe më pas trajtimit të sëmundjeve të ndryshme në nivel lokal.
Projektligji i ISKSH-së
Shërbime falas në spitale, nëse je i siguruar
Çdo qytetar do të marrë shërbim mjekësor falas, nëse shlyen detyrimet shëndetësore.
Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, në përputhje me dispozitat kalimtare, i gjithë sistemi i shërbimeve, përfshirë këtu shërbimin e specializuar ambulator, shërbimin spitalor të të gjitha niveleve, si dhe shërbimet ndihmëse në funksion të tyre, do të jenë të financuara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.
Shteti, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, do të jetë përgjegjës dhe financues vetëm për shërbimin e urgjencës, investimeve në mjete themelore dhe aparatura, dhe për shëndetin publik. Ministria e Shëndetësisë mbetet institucioni përgjegjës për hartimin e strategjive dhe politikave shëndetësore kombëtare.
Projektligji, - shpjegon znj. Hana, - synon ndryshimin e statusit ligjor dhe financiar të institucioneve shëndetësore. Institucionet shëndetësore, përfshirë këtu spitalet publike, poliklinikat, qendrat shëndetësore, fitojnë pavarësi reale ligjore e financiare, por në të njëjtën kohë ato ruajnë në mënyrë të padiskutueshme karakterin publik, pasi shteti, përmes MSH-së i krijon, i licencon, i regjistron, i mbikëqyr dhe monitoron cilësinë e shërbimit.
Projektligji përfshin dhe çështjen e sigurimeve private në Shqipëri, përmes sigurimit suplementar shëndetësor që mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjella shëndetësore. Ky sigurim lidhet tërësisht me tregun privat. Ndërsa është vendosur që sigurimi suplementar të mos jetë i njëjtë me sigurimin e detyruar, që mbulon vetëm shërbimin bazë. Sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar, i cili do të marrë përsipër të financojë, ose të blejë ato shërbime, që nuk i mbulon fondi bazë e që janë të përcaktuara shprehimisht në ligj. Ndër to mund të përmenden shërbimi stomatologjik, protezat, shërbimet e syzeve optike, ndërhyrjet e kirurgjisë plastike-estetiste etj.
“Xhamllëku” kthehet në shesh këmbësorësh për qytetarët
Pas tre muajsh sheshi “Shtraus” i njohur ndryshe si “Xhamllëku”, do të shndërrohet në një shesh urban pedonal. Më një fond prej rreth 22 milionë lekësh investim nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, në kuadrin e rikualifikimeve urbane të shesheve në Tiranë, sheshi “Shtraus” do të jetë pjesë e listës së shesheve të cilët së shpejti do t’i ofrojnë Tiranës një tjetër imazh.
Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në fillimin e punimeve u shpreh: “Në një kohë të shkurtër, “Xhamllëku“ i famshëm i kryeqytetit të djeshëm do të jetë një shesh i bukur këmbësorësh për më të moshuarit dhe fëmijët e një lagjeje të Tiranës”.
Sheshi “Shtraus” ndodhet në pjesën lindore të Tiranës, përgjatë aksit të rrugës “Qemal Stafa”, në kryqëzimin e saj me rrugën “Hoxha Tahsim”. Aktualisht, pjesa qendrore e sheshit shërben si pikë kontakti për pensionistët dhe fëmijët e blloqeve të banimit rreth tij. Ai identifikohet gjithashtu si një ishull në trafikun automobilistik.
Hapësira e re urbane e sheshit që do të përftohet, duhet të ofrojë një hapësirë të mirëfilltë pushimi, një hapësirë komode pedonale si dhe të shmangë trafikun, ose të jetë në krah të tij. Kjo do të arrihet duke e kthyer sheshin “Shtraus” në një shesh pedonal.
Shtrimi i sipërfaqeve të sheshit do të bëhet kryesisht me beton të derdhur në vend, me stampim dekorativ. Pjesa qendrore e tij (platforma e mbjellë me pemë) do të ketë ngjyrë të bardhë dhe do të trajtohet me fuga në të dyja drejtimet. Pjesa masive e sipërfaqes së sheshit do të ketë ngjyrë të kuqërreme, me teksturën e vendosjes së tullave. Ky shtrim do t’ia shtojë atij karakterin “piazza” dhe “pedonal” në të njëjtën kohë. Periferitë e sheshit do të konturohen me kufizues trafiku. Ndriçimi është element i rëndësishëm në shesh. Sheshi i ndriçuar ofron tjetër ndjesi dhe imazh për qytetin. Ndriçimi do të bëjë të mundur që sheshi të jetë po aq i gjallë gjatë mbrëmjeve, sa edhe ditën.