E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fastweb dhe Telecom Italia, evazion fiskal 400 milionë euro

Autori i Lajmit: Redaksia

Romë – Lajmi i një rrjeti të madh pastrimi parash të pista në Itali, i shtrirë dhe në shtete të tjera, një shumë që shkon deri 400 milionë euro evazion fiskal, ka përfshirë ditën e djeshme vendin fqinj. Operacioni i quajtur “Phunchard-Broker”, u bë i njohur gjatë një konference për shtyp të kreut të antimafias së Romës, Xhankarlo Kapaldo, dhe prokurorit i Përgjithshëm të Antimafias, Piero Graso. Ky krim mendohet të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e vjedhjeve në Itali, ndërsa ka përfshirë dhe emra të njohur kompanish si “Fastweb” dhe “Telecom Italia Sparkle”. Hetimi ngarkon me përgjegjësi një numër të madh drejtuesish të lartë kompanish të mëdha, kryesisht në shërbime. Për Silvio Skalian, ish-administratorin e deleguar dhe themelues i kompanisë së shërbimeve online, Fastweb, u lëshua urdhërarresti i prokurorisë. Ai mendohet se momentalisht ndodhet jashtë vendit. Megjithatë, Skalia mësohet se u ka kërkuar avokatëve të tij mbrojtës që të nisin menjëherë procedurat për marrjen e tij në pyetje në kohën më të shkurtër të mundshme për të sqaruar çdo mosmarrëveshje me shtetin. Është arrestuar ndërkohë dhe Stefano Mazziteli, ish-administratori i deleguar i “Telecom Italia Sparkle”. Fletarresti janë lëshuar dhe për zyrtarë të lartë të Guardia di Finanzias, numri total i të cilave arrin në 56. Prokuroria e Romës ka bërë një kërkesë formale për sekuestro në kompanitë e “Fastweb” dhe “Telecom Sparkle”. Në ligjin që parashikon këtë dënim thuhet ekzaktësisht: “Për mungesë të vigjilencës” në bazë ligjit 231, 2001, parashikon sanksione për kompanitë që nuk marrin masat e nevojshme për të evituar dëmet e aseteve të shoqërisë. Në një komunikatë kompania “Fastweb”, ka garantuar shërbimet për klientët e saj dhe u ka bërë thirrje 8 mijë personave që punojnë në këtë shoqëri që të mos shqetësohen për vendet e tyre të punës. Të menjëhershme kanë qenë pasojat e këtij skandali të madh dhe në aksionet e Bursës ku kuotohet kjo kompani shërbimesh online.
Shumë nga fletarrestet janë lëshuar dhe në vendet si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Luksemburgu. Në përfundim të hetimeve janë sekuestruar 247 shtëpi, me një vlerë prej 48 milionë eurosh, 133 vetura me vlerë 3 milionë e 700 mijë euro dhe 743 raporte të falsifikuara financiare që arrinin në vlerën e 944 mijë eurove evazion dhe shumë asete të dy kompanive të përfshira në krim.

Ky lajm është publikuar: 24/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›