E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fate Velaj risjell “Kujtimet nga e ardhmja” në Tiranë



Petrika GROSI
Të martën e ardhshme, më 29 prill ‘08, në Universitetin Europian të Tiranës do të çelet ekspozita “Memories from the future” “Kujtimet nga e ardhmja”, e piktorit vlonjat që jeton dhe punon në Austri, Fatmir Velaj. Gjithashtu, me këtë rast do të prezantohet edhe një katalog dygjuhësh (shqip-gjermanisht), me fotografi, piktura dhe esse të Velajt. Veç të tjerash, e veçantë në këtë përurim do të jetë përshëndetja e dërguar enkas për ekspozitën e Fatmir Velajt, nga dr. Alfred Gusenbauer, Bundeskancelar i Austrisë, një pjesë të së cilës po e botojmë:
“Normalisht, është në kundërshtim me rrjedhojën e çdo lloj arsyetimi që të kesh ‘Kujtime nga e ardhmja’. Deri më sot kjo kategori të menduari i përkiste vetëm Hollivudit. Por, fakt është se secili prej nesh në mënyrë individuale ose kolektive, krijon idetë e tij mbi të ardhmen dhe njëkohësisht, farkëton plane për të nesërmen ose të pasnesërmen. Shpeshherë orientimin e jetës ne e bëjmë përgjatë një linje kohore dhe e ndërthurrim atë me pamje të veçanta, të cilat shpresojmë se një ditë do të na paraqiten ose prej të cilave një ditë do të frikësohemi. Nëse do t’i referohemi përvojës së jetës, fare mirë do të vinim re se me të vërtetë ka një të ardhme të cilën do e kujtojmë. Gjeneratat e prekura nga pesimizmi i ka munduar thënia se ‘dikur, bile dhe vetë e ardhmja ka qenë më e mirë’, ndërsa ato optimistë, ndiqnin principin e shpresës, ashtu siç bënte Ernst Bloch. E ardhmja ka qenë gjithmonë e panjohur por, mbi të gjitha ajo ka qenë një hapësirë e lirë për fantazi krijuese. Vëmë re se në vitet e fundit ato që me të vërtetë kanë ndryshuar janë zhvillimet dhe rethanat shoqërore mbi të cilat ne thurrim plane për të ardhmen, ose më mirë të themi, ëndërrojmë për të. E ardhmja bazohet në pamjet e së tashmes dhe është në një proces ndryshimi të vazhdueshëm. Këtë e tregojnë dhe pikturat e kësaj ekspozite dhe në mënyrë të veçantë fotografitë, që për mendimin tim luhasin ndërmjet melankonisë dhe zgjimit. Por kujt nga ne në Europën Qëndore i kishte vajtur mendja se në pranverën e 1989 me rënien e perdes së hekurt, do të ndodhnin dhe ndryshimet historike? Ndryshimet radikale që ndodhën tek popujt e Europës Juglindore ishin të mendueshme dhe të pranueshme po t’u referohemi historisë së tyre, por e pamendushme ishte shpejtësia e normalizimit të tyre. Të gjitha këto larmi ndryshimesh e perspektivash krijuan dhe modele të reja për të ardhmen, ashtu siç dëshmojnë dhe pikturat e Fate Velaj”. Kritikë të ndryshëm shqiptarë e të huaj, e kanë vlerësuar Fatmir Velajn si një piktor që ka ditur se si t’i imponohet botës së arteve figurative me manifestimet e tij artistike dhe talentin personal. Këtu gjejmë vendin të citojmë edhe kritikun dr.Luan Topçiu, i cili është shprehur për ekspozitën e Velajt: “Në ciklin e fundit të tij ‘Kujtime nga e ardhmja’, titulluar në formën e një sintagme paradoksale dhe sugjestive, Velaj shënon kuotën më të lartë në krijimtarinë e tij. Tablotë e këtij segmenti evokojnë më së shumti përsjatje filozofike dhe poetike mbi botën, mbi jetën, mbi ëndrrën. Veprat janë sinteza përjetimesh të thella, janë thelbi i gjendjeve të ngarkuara shpirtërore dhe emocionale”. Topçiu shton më tej se “Veprat ruajnë atë që artisti konsideron më thelbësoren dhe më të qenësishmen e dukurisë apo motivit që ai pikturon. Fate velaj di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore duke na kapluar me gjetje artistike goditëse. Në këtë hipostazë telajoja e Velajt fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me thekse e shkrirje të alternuara”. Çka mund të theksohet, është fakti se autori, qoftë në formimin e tij si artist apo edhe në atë çka shfaq me punët e tij, si frymëzim ka pasur Vjenën dhe Vlorën. I dyjëzuar mes vendlindjes dhe vendbanimit ai vazhdon të krijojë punët e tij, të cilat tentojnë shpërhapjen drejt kufijve globalë.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›