E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu, NATO-s: “Vazhdoni prezencën tuaj në Kosovë”



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë ka kërkuar vazhdimin e prezencës së tyre në mënyrë që ndërtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të jetë në parametrat e duhura të NATO-s. Këto komente Presidenti Sejdiu i bëri pas një takimi që zhvilloi me një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të cilët kanë shkuar për një vizitë në Kosovë. Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s nga Mbretëria e Bashkuar, Majkëll Klafam tha se qëllimi i ardhjes në Kosovë është përgatitja i cili do të shërbejë për një takim në muajin maj në Berlin. “Jemi këtu për të dëgjuar dhe mësuar. “Duam t’i dëgjojmë pikëpamjet e Presidentit përsa i përket të ardhmes së Kosovës. Ne do të përgatisim një raport për Asamblenë Parlamentare të NATO-s që do të përgatitet si lloj drafti në takimin e Berlinit në maj”,- tha kryesuesi i delegacionit të NATO-s i cili siguroi gjithashtu se situata e sigurisë është e garantuar nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

Burkina Faso dhe Kosta Rika njohën Kosovën

Burkina Faso dhe Kosta Rika kanë njohur gjatë ditës së djeshme shtetin e ri, Kosovën. “Burkina Faso njeh ekzistencën e shtetit të ri sovran, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”,-thuhet në komunikatën e qeverisë në kryeqytetin e Burkina Fasos, Ugadugu. Në këtë njoftim gjithashtu thuhet se ky vend është i gatshëm njëkohësisht të vendosë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim me shtetin e ri sovran. Ndërkohë Presidenti kosovar ka marrë letrën zyrtare të njohjes së pavarësisë edhe nga Kosta Rika, letër kjo e nënshkruar nga Bruno Stagno Ugarte, Ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi. Ndërkaq, kryeministri Hashim thaçi është shprehur optimist lidhur me ritmet me të cilat po ecën procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij shumë shpejt numri që do të njohin shtetin e ri do të shkojë mbi 100. “Procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës po shkon sipas axhendës së planifikuar dhe numri i vendeve që do ta njohin Kosovën së shpejti do të arrijë mbi 100”,-pohoi Thaçi.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›