Mediat: “Dorëheqja e kryeadministratorit Ryker, çështje ditësh”
Sipas agjencisë të lajmeve italiane ANSA, shefi i UNMIK-u Joakim Ryker do të japë dorëheqjen dhe kjo është vetëm çështje ditësh. Duke iu referuar agjencisë italiane të njëjtin lajm ka bërë të ditur edhe agjencia e lajmeve serbe b92. Mësohet se për ANSA-n lajmin e kanë konfirmuar burime nga Prishtina. Megjithatë vetëm dy ditë më parë Ryker ka mohuar se do të dorëhiqet nga posti i kreut të misionit të OKB-së në Kosovë. “Do të qëndroj në Kosovë”- u tha ia gazetarëve pak para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku raportoi më pas për Kosovën. Javën e fundit, zyrtarë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork thanë se dorëheqja e Ryker është vetëm çështje ditësh.
Tadiç: “Serbia do të nënshkruajë marrëveshjen me BE-në”
Presidenti i Serbisë dhe i Partisë Demokratike, Boris Tadiç, ka deklaruar se Serbia do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. “Do ta bëjmë këtë për shkakun tonë, për Serbinë, për Kosovën dhe për ardhmërinë”,-u shpreh Tadiç në kuadër të fushatës elektorale. Në tubimin parazgjedhor në Shabac ai ka përsëritur se “forcat antieuropiane” në Serbi, të cilat më së shumti e dënojnë këtë marrëveshje, kanë marrë pjesë në krijimin e saj, duke aluduar kështu tek Partia Demokratike e Serbisë (DSS) e kryeministrit në dorëheqje, Vojisllav Koshtunica.
Presidenti serb ka theksuar se porosia e tij për rivalët politike është “që t’i ulin tensionet”. “Porosia ime për kundërshtarët është: Mos ndillni luftë në këtë vend. Mos provokoni luftë. Mos kërcënoni askënd, vetëpërmbahuni. Porosia ime është porosi e paqes”,-ka theksuar Tadiç. Ndërkohë kryeministri Koshtunica, kundërshtar politik i Tadiç është shprehur kundër nënshkrimit të MSA-së me BE-në. Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk është shprehur kundër afrimit të BE-së me Serbinë para zgjedhjeve. “Bashkimi Europian duhet t’i ofrojë lidhje me të ngushta Serbisë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme në këtë vend”,-u shpreh Turk, vendi i të cilit kryeson BE-në. Turk shpjegoi në Parlamentin Europian se kjo ofertë e BE-së duhet t’i bëhet Serbisë, vetëm pasi serbët të vendosin se janë të gatshëm të afrohen me Bashkimin Europian.
Feith: “Roli i misionit të BE-së, këshillimi”
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian në Kosovë, Peter Feith, u shpreh se mandati i misionit të OKB-së në Kosovë do të ndryshojë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re të Kosovës, nga mesi i muajit qershor. Feith tha se përgjegjësitë e misionit të tij hyjnë në fuqi pas datës 15 qershor dhe ai ofron një siguri politike për Kosovën në një afat të gjatë. Ai tha se Kosova gëzon një perspektivë europiane, si të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimi Europian do të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë deri në anëtarësimin e saj në strukturat europiane.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë deklaroi se misioni i tij do të ketë rol këshillues dhe nuk do ta zëvendësojë qeverinë vendase, e cila, sipas tij, duhet të marrë përgjegjësitë e plota.
25 Prill 2008