E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati i Arsen Vengerit

Ashtu si historia njerëzore, edhe futbolli ndonjëherë merr kthesa kaq të forta saqë të duket krejt mizor dhe i pabesueshëm. Merrni shembullin e Arsen Vengerit, trajnerit legjendar të Arsenalit, njërit prej më të mirëve të stolit për klubet. Pas 16 viteve në krye të skuadrës londineze, Venger ka mbërritur në zgrip. Ai që u adhurua aq shumë nga tifozët e tij pas fitoreve të kampionateve dhe kupave, pas dy finaleve europiane dhe pasi prodhoi një futboll që vetëm Barcelona mund ta lerë në hije. Por, katastrofa 0-4 në “San Siro” ndaj Milanit, në Ligën e Kampionëve, ishte një tërmet i tillë që po ia shemb Vengerit tavanin përmbi kokë. Trofeu i fundit i francezit tek “topçinjtë” u fitua në vitin 2005 dhe ishte Kupa e Anglisë, ndërsa një sezon më parë, në 2004, londinezët fituan titullin kampion duke mos humbur asnjë ndeshje gjatë rrugës. U quajtën “Të Pathyeshmit”. Venger, natyrshëm, që ishte njëri nga të pathyeshmit. Por, 7 vjet pa asnjë fitore janë pak si shumë edhe për Anglinë e durueshme. Historia njeh shembuj kur edhe trajnerë legjendash u katandisën si s’ka më keq. i tillë ishte Brajan Kllaf, ish-trajneri i Notingam Forestit, që doli kampion i Anglisë më 1978 dhe kampion i Europës më 1979 e 1980. Pas 18 vjetësh në detyrë, Kllaf dha dorëheqjen më 1993 kur Notingem ra në kategorinë e dytë. Nuk mund të thuhet se kjo do të ndodhë për Vengerin, por trajneri francez duhet me patjetër të sigurojë Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, diçka aspak e lehtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›