Fati i draftit të PD-së për hapjen e dosjeve
Megjithëse në përfundim të seancës parlamentare të ditës së hënë kryeparlamentarja Jozefina Topalli u shpreh se projektligji për hapjen e dosjeve do të miratohet gjatë seancës së të hënës së ardhshme, ende duket i paqartë fati i këtij drafti të rëndësishëm. Pas reagimit të faktorit ndërkombëtar të akredituar në Tiranë, duket i paqartë qëndrimi i demokratëve. Ditët e fundit zërat nga PD-ja për këtë projektligj kanë heshtur, duke shtuar paqartësinë nëse projektligji për hapjen e dosjeve do të kalojë për miratim gjatë seancës së ditës së hënë. Burime nga Grupi Parlamentar i PD-së, nën zë, ngrenë supet lart duke treguar se nuk janë në dijeni për fatin e projektligjit. Sipas tyre, gjithçka është në dorën e kryetarit të partisë. Vetëm kryeministri Berisha mund të thotë qartë nëse do ta miratojë projektin e kontestuar nga opozita, shoqëria civile dhe nga faktori parlamentar, apo do të dëgjojë sugjerimet e tyre për të shtyrë votimin e parashikuar për ditën e hënë.
18 Dhjetor 2008