Hapja e dosjeve, Topi: “KLD-ja garanton respektimin e Kushtetutës”
Presidenti Topi ka preferuar ta përcjellë indirekt përgjigjen e tij për projektligjin e dosjeve dhe pretendimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për mënyrën antikushtetuese të shkarkimit të tyre. Kreu i shtetit ka theksuar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton pavarësinë e Gjyqësorit dhe respektimin e Kushtetutës. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë luan një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin dhe garantimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe paanshmërisë së sistemit gjyqësor shqiptar, për ta bërë këtë pushtet më të aftë në përballimin e funksionimit normal të shtetit të së drejtës. Forcimi i efikasitetit të punës dhe rolit të këtij Këshilli, në mënyrë që përmbushja e detyrimeve të tij të jetë në përputhje jo vetëm me Kushtetutën dhe ligjin, por edhe me standardet dhe përvojën më të mirë europiane, padyshim do të kishte impaktin e tij të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë në reformimin e pushtetit gjyqësor në tërësi”, - është shprehur Topi. Deklarata e Presidentit të Republikës u bë gjatë ceremonisë së binjakëzimit të KLD-së me homologët në Itali dhe Spanjë dhe botimit të kuadrit ligjor të funksionimit të tij, kuadër që do të përdoret edhe në hartimin e ligjit të ri të KLD-së dhe që ndan kompetencat e dyzuara të Këshillit dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas shefit të këtij dikasteri, Enkelejd Alibeaj, mes dy institucioneve mund të vendoset paqja. Më tej, Topi gjatë fjalës së tij ka theksuar se është i rëndësishëm bashkëpunimi institucional për realizimin e reformës në Drejtësi. “Pra, ky projekt ka dhënë shanse jo vetëm për Këshillin e Lartë të Drejtësisë për t’u bërë më të aftë dhe më të perfeksionuar në punën e tyre, por rolin kyç që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, një institucion që konsiderohet ndryshe dhe si qeverisje e pushtetit gjyqësor, që t’i japë të gjithë elementët e tij, natyrisht në bashkëpunim me strukturat e tjera kushtetuese të shtetit, në bashkëpunim me politikën, në bashkëpunim me Parlamentin, në bashkëpunim me të gjitha shkallët e gjykatave”, - është shprehur kreu i shtetit.
18 Dhjetor 2008