E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk do të ketë lehtësim në dhënien e vizave “Shengen”

Ekspertët europianë pohojnë se marrëveshjet kanë probleme serioze. Në Shqipëri mungon informacioni dhe siguria e dokumenteve të identitetit

Liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian po duket gjithnjë e më i largët, me gjithë premtimet politike të bëra nga Tirana dhe Brukseli. Ky fakt është konstatuar nga ekspertët e politikave për lehtësimin e lëvizjeve mes vendeve ballkanike dhe zonës së Shengenit. Në një konferencë të mbajtur një javë më parë në Bruksel, përfaqësues të disa organizatave ndërkombëtare kanë deklaruar se marrëveshjet e liberalizimit të vizave kanë probleme serioze në zbatimin e tyre. Në aktivitetin e organizuar më 10 dhjetor të këtij viti nga Shërbimi Europian për Veprim Qytetar me titull “A është real lehtësimi i vizave në Ballkanin Perëndimor? – Monitorimi i marrëveshjeve të reja”, mori pjesë edhe një shoqatë shqiptare, e drejtuar nga Ditmir Bushati. Në përfundim të kësaj konference ndërkombëtare thuhet se skema e planifikuar për të lehtësuar kontaktet midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është defektoze dhe me “probleme serioze”.
Dështimi
Marrëveshjet e lehtësimit të vizave, të firmosura nga Bashkimi Europian me pesë vendet e Ballkanit; Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë, kanë hyrë në fuqi më 1 janar. Ato ishin planifikuar që të lejonin kategori të caktuara të qytetarëve të udhëtonin dhe të administronin biznesin në zonën e Shengenit pa procedurat e mbingarkuara. Tony Venables, drejtor i Shërbimit Europian për Veprim Qytetar (ECAS), tha se “duke monitoruar skemën në rajon, del se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga një numër shtetesh është defektoz dhe se me lehtësimin e vizave nuk janë duke arritur rezultatet për të cilat ato ishin planifikuar. Për më tepër, janë raportuar diferenca të habitshme në zbatimin e marrëveshjeve të liberalizimit të vizave midis vetë shteteve të ndryshme anëtare të BE-së. Venables tha se nevojiten më shumë përpjeke nga Bashkimi Europian që të arrijë të bëjë më shumë në liberalizimin e vizave.
Shqipëria
Përfaqësuesi nga Shqipëria, Ditmir Bushati, ngriti një sërë problemesh që janë hasur gjatë zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar nga Tirana zyrtare me Komisionin Europian në lidhje me liberalizimin e vizave. Së pari, ka mungesë informacioni në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar për lehtësimin e vizave. Njerëzit janë të painformuar se çfarë siguron kjo marrëveshje për ata dhe për grupe të ndryshme interesi. Kryesisht, perceptimi është se marrëveshja mund të sigurojë udhëtim të lirshëm drejt Europës për kategori të caktuar të personave, por realisht kjo nuk është e konfirmuar në zbatimin konkret. “Shqiptarët ende nuk bëjnë dallimin e situatës së tanishme me atë të shkuarën në lidhje me dhënien e vizave”, - thuhet në konkluzionet e raportit të konferencës. Po ashtu theksohen edhe “kërkesat shtesë për kategori të caktuara në përgatitjen e dokumenteve të aplikimit. Nuk ka një rol specifik të Ministrisë së Punëve të Jashtme për aplikantët e besueshëm dhe grupet e sigurta të interesit, pa listuar operatorët e njohur turistikë. Problem tjetër janë numrat e telefonit që thirren nga qytetarët, të cilët zgjasin kohën për të sqaruar procedurat dhe kriteret e dhënies së vizave. Ka ambasada të cilat kanë futur linjat me pagesë ekstra dhe kjo është një çështje problematike. Po ashtu, zgjaten afatet për realizimin e intervistave dhe dhënien e vizave. Probleme të theksuara janë vënë re edhe në procedurat për bashkimet familjare. Ambasadat u refuzojnë dhënien e vizave të moshuarve, fëmijët e të cilëve jetojnë në vendet e BE-së. Në raport përmenden rastet e refuzimit të vizave për akademik Ylli Popën dhe futbollistin e njohur të Kombëtares shqiptare, Indrit Fortuzi, të cilët kishin paraqitur në konsullatat e huaja të gjitha dokumentet e kërkuara.
Problem tjetër janë dokumentet zyrtare të falsifikuara, që kanë ndikuar në çështjen e vizave. “Qeveria shqiptare ka bërë shumë pak në lidhje me sigurinë më të madhe të dokumenteve të udhëtimit. Ende nuk ka përfunduar prodhimi i pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit. Sipas tij, certifikatat personale dhe familjare mund të falsifikohen lehtësisht. Po ashtu edhe dokumente të tjera. Sipas deklaratës së Bushatit, të bërë në këtë konferencë, nxirret në pah se qeveria shqiptare nuk është duke bërë punën e mjaftueshme për të bërë dokumente të sigurta.
Shkaqet
Gjatë konferencës, ekspertët kanë nxjerrë një sërë shkaqesh për pengesat që dalin për rreth 20 milionë ballkanas, të cilët duan lehtësira në marrjen e një vize “Shengen”. Sipas Alexandra Stiglmayer, përfaqësuese e Nismës Europiane të Stabilitetit (ESI), kjo nuk ka të bëjë më shumë me çështje teknike, por lidhet me vendime politike. Premtimi është bërë që pesë vite më parë në Samitin e Selanikut, kur u shtrua perspektiva për anëtarësimin në BE të vendeve të rajonit. Por, imazhi i krijuar dhe të dhënat për trafik klandestinësh dhe droge me origjinë nga vendet e rajonit, duket se i ka stepur zyrtarët e Brukselit. Kjo duket edhe në raportet e specializuara të organizmave ndërkombëtare. Vetëm gjatë vitit 2004 janë arrestuar 19 mijë trafikantë heroine në 15 vende europiane, ku të gjithë janë shqiptarë, serbë dhe maqedonas.
Tashmë të dhënat flasin se ato që kanë dashur të emigrojnë në vendet e BE-së e kanë bërë një gjë të tillë deri më tani dhe se emigrimi potencial është absolutisht në një numër të vogël. Nga përllogaritjet e bëra mund të jenë rreth 500 mijë deri në 1 milion persona në të gjithë Ballkanin.

DEKLARATA
BE-ja i lehtëson vizat vetëm nëse respektohet marrëveshja

Më 24 nëntor të këtij viti, gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së, u tha qartë se do të ketë lehtësim në dhënien e vizave për shtetasit nga vendet e Ballkanit vetëm nëse qeveritë do të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara. Madje theksohet se nuk do të tolerohet në asnjë nga pikat e përcaktuara në “kontratat” e bëra nga qeveritë e rajonit me Komisionin Europian. Këto përfshijnë sigurinë e dokumenteve të identitetit, si pasaportat biometrike, kartat e identitetit, por edhe menaxhimin e kufijve sipas standardeve europiane.

Shqiptarët, të diskriminuarit e mëdhenj të rajonit

Shqiptarët janë më të diskriminuarit e Ballkanit kur ndodhen para sporteve të ambasadave të vendeve perëndimore. Ky fakt del nga shifrat e publikuara në një studim të bërë nga Nisma e Stabilitetit Europian në muajin nëntor të këtij viti. Në statistikat e nxjerra për vizat e lëshuara nga ambasadat e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian në pesë vendet e rajonit: Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Serbi, numri më i lartë i refuzimeve është për shqiptarët. Pas nesh vijnë maqedonasit dhe boshnjakët. Ndërsa më të përkëdhelurit e rajonit janë serbët dhe malazezët. (Të dhënat tregohen në tabelën, si më poshtë).

Aplikimet për viza që janë refuzuar në disa ambasada në vitin 2007

Austria Franca Gjermania Greqia Italia
Shqipëria 21% (2006) 21% 24% 26% 9%
Bosnje Hercegovina 19% (2006) 5% 15% 2% 1%
Maqedonia 14% 9% 17% 3% 7%
Mali i Zi - - - 5% 0.3%
Serbia 5% (2006) 6% 10% 3% 2%

KËRKESAT E BE-së
1. Zbatimi i Marrëveshjes së pranimit
2. Zbatimi i Marrëveshjes së lehtësimit të vizave
3. Pasaportat, dokumentet e sigurisë dhe biometrike
4. Menaxhimi i kufirit
5. Politika e azilimit
6. Menaxhimi i emigracionit
7. Shmangia dhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit
8. Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet kriminale (në nivel ndërkombëtar dhe me BE-në)
9. Bashkëpunimi për përforcimin e ligjit (në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar)
10. Mbrojtja e të dhënave
11. Liria e lëvizjes për shtetasit e vendeve
12. Mosdiskrsiminimi në sigurinë e dokumenteve të identifikimit
13. Të drejtat e qytetarëve, duke përfshirë mbrojtjen e tyre
14. Masat e zbatimit të dekreteve të udhëtimit të BE-së

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›