E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-ja, “shuplakë” qeverisë për ligjin e dosjeve



Projektligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist është kontestuar së fundi, jo vetëm nga opozita dhe shoqëria civile në Shqipëri, por dhe nga faktori ndërkombëtar. Deklaratës së një dite më parë të Ambasadës Amerikane i është bashkëngjitur dje dhe deklarata e ambasadorit të Prezencës së OSBE-së. Robert Bosh ka theksuar në deklaratën e tij se projektligji i paraqitur në Kuvend nga PD-ja ka probleme serioze me Kushtetutën. Bosh, më tej, ashtu sikurse dhe diplomatët amerikanë, i ka sugjeruar politikës shqiptare që ta konsultojë këtë draft me ekspertët ndërkombëtarë. Përkundër qëndrimit të maxhorancës, qëndrimi kundër këtij drafti nga faktori ndërkombëtar tregon se qëllimi kryesor i këtij projekti duket të jetë spastrimi i Drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë afera korruptive të ministrave të kabinetit qeveritar.
Deklarata
“Ndajmë të njëjtin qëndrim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Projektligji cenon disa nene kushtetuese dhe duhet të ketë diskutime gjithëpërfshirëse për të. Projektligji për verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë është mjaft i ndjeshëm, ndaj duhet të paraqitej te konsulentët europianë pikësëpari, si dhe kërkon përfshirjen në diskutime gjithëpërfshirëse”, - është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, gjatë një deklarate për mediat. Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për mungesën e konsultimit të një projekti kaq të rëndësishëm me ekspertët e OSBE-ODIHR-it. Kjo është kritika e dytë që vjen nga faktori ndërkombëtar në Shqipëri për projektligjin për hapjen e dosjeve. Vetëm një ditë më parë Ambasada e SHBA-ve në Tiranë i bëri thirrje politikës shqiptare që të mos nxitohet në miratimin e projektligjit për hapjen e dosjeve pa e konsultuar më parë me ekspertët ndërkombëtarë. Ambasada e SHBA-ve vërejti se projektligji ka shkelje të Kushtetutës. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirëpret vendimin e mbrëmshëm në Parlament për të shtyrë votimin mbi projektligjin për pastërtinë e figurave. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshëm për një projektligj që ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Gjithashtu nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”, - shkruhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Kontestimet
Projektligji i PD-së për hapjen e dosjeve është kundërshtuar dhe nga faktori politik shqiptar. Opozita e ka kundërshtuar këtë projekt duke e cilësuar antikushtetues dhe që shkel të drejtat e njeriut. Ndërsa shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve e konsiderojnë atë si një sulm që u drejtohet atyre. Gjatë debatit në Kuvend deputetët e opozitës bënë të ditur se projekti shkel ligjet organike që rregullojnë organizimin e institucioneve të Drejtësisë. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së e akuzoi maxhorancën se qëllimi kryesor për miratimin e këtij ligji është goditja e prokurorëve që po merren me hetimin e çështjeve të rëndësishme të korrupsionit, që implikojnë ministra të kabinetit qeveritar.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›