E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhon Uidhers: “Posti nuk duhet të influencojë në barazinë para ligjit”

Ambasadori amerikan, leksion politikës shqiptare për shtetin ligjor. Uidhers dhe Topi diskutojnë për reformën në Drejtësi dhe për Kodin Zgjedhor

Ambasadori Amerikan, Xhon Uidhers, në kulmin e debateve politike për rolin e Drejtësisë në hetimin e disa ministrave të kabinetit qeveritar ka gjetur të japë dje një mesazh për politikanët shqiptarë. Ambasadori Uidhers është shprehur se barazia përpara ligjit nuk duhet të influencohet nga posti, pasuria apo statusi shoqëror i individit. Këtë deklaratë kryediplomati amerikan e ka mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit nga Presidenti i Republikës të juristes së OPDAT-it, amerikanes Melisa Shrajbman. Uidhers gjithashtu ka zhvilluar një takim dhe me presidentin Topi, gjatë të cilit ka theksuar nevojën e realizimit të reformës në Drejtësi dhe atë të reformës zgjedhore.
Deklarata
“Shteti i së drejtës kupton që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që të gjithë duhet të dëgjohen dhe të gjykohen para ligjit në mënyrë të barabartë. Dhe as fuqia, ose posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk duhet të influencojnë në barazinë e sistemit ligjor”, - është shprehur Uidhers. Një deklaratë e tillë e ambasadorit të prezencës më të rëndësishme ndërkombëtare në Tiranë nuk ka se si të mos lidhet me zhvillimet politike në vend. Aq më tepër që Uidhers, gjatë fjalës së tij, ka vlerësuar bashkëpunimin e misionit amerikan OPDAT me prokuroren e Përgjithshme. Ky institucion së fundi është vënë në shënjestër të qëndrimeve që kanë ardhur nga eksponentë të qeverisë dhe të Partisë Demokratike. Deputetë dhe ministra e kanë cilësuar punën e Prokurorisë së Përgjithshme, veçanërisht në lidhje me çështjen “Basha” tendencioze, me prapavijë politike. Ndërsa ministri Basha, i cili është shpallur i pandehur nga Prokuroria, i ka injoruar disa herë thirrjet për raportim nga ky institucion. Ndaj dhe deklarata e Uidhersit duket si një mesazh politik që u përçohet anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Takimi
Pas ceremonisë së dekorimit, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të veçantë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon L. Uidhers II, në të cilin u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve tona. Presidenti Topi dhe ambasadori amerikan Uidhers gjithashtu diskutuan dhe ndanë pikëpamje të njëjta rreth reformave të domosdoshme integruese dhe përpjekjeve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, duke theksuar rëndësinë e reformës në Drejtësi, në Prokurori dhe asaj zgjedhore.
Presidenti Topi dekoroi gjatë një ceremonie të posaçme juristen amerikane Melisa Shrajbman me Medaljen e Mirënjohjes “Për kontributin e vyer në përpjekje për ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri, nëpërmjet ndihmës që ka dhënë në procesin e vështirë të reformimit të Drejtësisë, veçanërisht në reformën legjislative dhe atë në sistemin penal të Drejtësisë”. Melisa Shrajbman ka drejtuar programin e Zyrës së Zhvillimit, të Ndihmesës dhe Përgatitjes me Jashtë të Departamentit Amerikan të Drejtësisë (OPDAT) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në mbështetje të përpjekjeve për përmirësimin e sistemit shqiptar të drejtësisë, nëpërmjet seminareve, duke dhënë ndihmesë eksperte për reformën ligjore.

18 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›