E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fati i lidhur i Shqipërisë dhe Kosovës në 2005

14/04/2005  Java që hyri dhe dita e djeshme ka ofruar sinjale të ndryshme e të bollshme, që lidhen me Kosovën. Më së pari disa konkluzione të Grupit të Kontaktit, i cili si për të treguar ngutin në zgjidhjen e çështjes zbriti në terren, pikërisht në Beograd dhe Kosovë. Po ashtu dhe diskutimet e europarlamentarëve, pas raportimit të Komisionerit për zgjerimin Olli Rehn mbi zhvillimet në rajon, ku Kosova pati pjesën e vet. Shumë europarlamentarë për herë të parë përdorën një koncept në dukje i ri në lidhje me statusin, Komuniteti i Shteteve të Pavarura, Serbi, Mal i Zi, Kosovë. Në këtë linjë, pra të zhvillimeve të pritshme që këtë vit, duhet parë dhe premtimi i bërë Serbisë për mundësinë e hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, i kumtuar pikërisht prej Komisionerit Olli Rehn. Edhe Grupi i Krizave u rishfaq në lidhje me Kosovën. Mund të shtojmë këtu dhe lëvizjet e të interesuarve të drejtpërdrejtë për çështjen, Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet gojës së autoriteteve më të larta të tyre, Tadic, Koshtunica dhe Rugova, mes të cilëve pati ftesa të sinqerta dhe të refuzuara po sinqerisht. Pra, siç duket kjo javë ka qenë mëse e rëndësishme për Kosovën. Minimalisht, pasi tregoi dy elementë me rëndësi jetike për të ardhmen e afërt të këtyre bisedimeve dhe cilësinë e tyre.

Vjeshta 2005, fillimi i bisedimeve

Së pari se çështja e Kosovës vërtet do të fillojë të diskutohet brenda vitit 2005, megjithë paralajmërimet nxitëse të kreut të Grupit të Kontaktit se nëse nuk do të ketë përparime me standartet, atëherë ato mund të shtyhen. Ka patur shumë dilema rreth asaj se 2005 ishte vetëm një mirazh, që do t’u afrohej aktorëve në terren për t’i qetësuar apo për t’i dhënë idenë se ajo, që duhet të bëjnë, realizimi i standarteve ka një afat, pra, ka një kalendar, që do të kulmojë me diskutimin e statusit. Këtë e tregon përveç intensitetit të aktiviteteve kaq shumë të përqëndruara në këtë javë, avancimi i bërë në gojën e evropianëve në lidhje me këtë status. Nëse prej tyre flitet për shtet të pavarur të Kosovës, edhe pse pjesë të një komuniteti shtetesh të pavarur, atëherë duhet të konstatosh përparim real, por dhe realizëm: nuk është folur ndonjëherë për një gjë të tillë më parë, aq më shumë prej institucioneve evropiane, hiq Doris Pak, dhe ky është përparimi. Përparim ka dhe në një këndvështrim historik, pra cili ishte statusi legal i Kosovës para hyrjes së NATO-s dhe cili diskutohet sot. Ndërkohë realizmi lidhet me ndërgjegjësimin e këtyre institucioneve për gjendjen në terren: nuk ka mundësi për kthim mbrapa, dhe çdo zgjidhje, që nuk mban parasysh aspiratën e kosovarëve për pavarësi do të destabilizonte jo vetëm Kosovën. E thënë kaq shpejt kjo ide, duket se shërben si testim apo dhënie kohe për tretjen e saj, që sigurisht nuk mund të jetë e gjatë. Por, ka dhe pikëpyetje për këtë status të kumtuar për herë të parë kaq publikisht, megjithëse Parlamenti, nuk është Komisioni për sa i përket kompetencave në kuadrin e BE-së. Më së pari si do të lidhet ky status me atë, që po vetë Rehni tha se do të shtrohet për diskutim javën tjetër: perspektivën europiane të Kosovës? Më tej, ç’lloj komuniteti shtetesh të pavarura ofrohet: i ngjashëm me atë të Rusisë me vendet e tjera të ish-bashkësisë sovjetike? Nuk përdoret gjetiu një emër i tillë për një subjekt shtetëror- Komunitet, kështu që i vetmi asocim, që të vete në mendje është pikërisht ai që vjen prej hapësirës ish-sovjetike.

Elementi tjetër në favor të hapjes së bisedimeve që këtë vit, për çështjen e statusit të Kosovës është dhe premtimi, që ju bë Serbisë për fillimin e negociatave për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit, e paraprirë nga fjalët e mira, që u thanë në adresë të saj për përparime në pikëpamje të reformave. Bashkë me shkopin që ajo merr në lidhje me Kosovën, ofrohet dhe karota: ndërkaq siç duket dhe nga propozimi i evroparlamentarëve, Europa, subjekti më afër apo më i ndjeshëm ndaj interesave serbe sesa SHBA-të, do të përpiqet të ruajë Bashkimin e Serbisë me Malin e Zi. Pra, do të frenojë shkëputjen e republikës së vogël, që do të jepte një pamje dhe kurs tjetër të zhvillimeve në këtë hapësirë të ish Jugosllavisë.

Procedura- ndoshta jo Rambuje-Bis

Një çështje tjetër, që të vete në mend, duke analizuar zhvillimet e kësaj jave është procedura, që do të ndiqet për diskutimin e statusit: do të ketë diskutime dypalëshe, me praninë e një pale të tretë, apo të disa palëve të treta- BE, SHBA, dhe të tjerë? Apo do të ketë diplomaci omnibus, pra diplomacia ndërkombëtare që do të lëvizë midis dy vendeve për të ofruar një zgjidhje, që do të lëmohet më pas me ndërhyrjen e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës? Që mund të çojë vërtet në bisedime midis palëve, por thjesht për të diskutuar hollësirat për trashëgiminë e përbashkët, çështjen e pronësisë mbi ndërmarrjet, thesarin e Kosovës, etj, etj. Diferencat në diskutime, por dhe refuzimet kosovare, të çojnë në idenë se do të fitojë kjo procedurë e dytë e diplomacisë omnibus. Kjo u duk në refuzimin, që i bëri Rugova ftesës për të vizituar Beogradin, që mund të interpretohej si fillim i bisedimeve. Përgjithësisht, Rugova e merr linjën nga perëndimorët: duke ditur llojin e procedurës, që do të ndiqet për statusin ai refuzoi bisedimet e drejtpërdrejta, apo që mund të merreshin si të tilla. Sigurisht dhe për të shmangur paralelet historike në lidhje me udhëtimet në Beograd, ciklin e të cilave nuk duhej të ishte ai i pari që ta niste, duke lënë Kosumin, psh që nuk ka probleme të ngjashme, madje është i interesuar të duket pa kompleks. Ndërkohë llojin e statusit do ta vendosin të mëdhenjtë, përfshi dhe legjitimin e zgjidhjes eventuale në Këshillin e Sigurimit. Të tjerët thjesht do të pësojnë dhe do të merren me hollësira. Nuk do të ketë Rambuje–Bis, mesa duket.

Roli i Shqipërisë në këto zhvillime

Siç mund të imagjinohet, Shqipëria preket në mënyrë absolute nga këto zhvillime, ashtu siç edhe mund të ndikojë në to, megjithëse në mënyrë të kufizuar. Nuk duhet ndonjë zotësi e madhe për të kuptuar se në fund të procesit, i cili mund të kulmojë me një subjekt të ri shqiptar, megjithëse me sovranitet të kufizuar në planin ndërkombëtar, shqiptarët si komb fuqizohen shumë. Por, ajo që meriton vëmendje imediate është lidhja e procesit, që sapo nis me zhvillimet e vendit amë në 2005.

Më së pari, Shqipëria rrezikon të mbetet pas Serbisë në planin e afrimit me BE-në, gjë që sigurisht e defavorizon atë. Në këtë prapambetje nuk është faji i BE-së dhe as i Serbisë: është thjesht faji i Shqipërisë, e cila mbetet peng i qeverisjes problematike, i cilësisë së keqe të zgjedhjeve, të cilat përbëjnë akoma një çështje të rëndësishme të axhendës evropiane. Po të mbajmë parasysh se megjithë fillimin e pushimeve, perëndimorët do të dërgojnë në Shqipëri më shumë vëzhgues se thuajse asnjëherë më parë, po të kemi parasysh se edhe vetë presidenti Bush u prononcua për to në një letër, që mund të ishte thjesht kortezie për rolin e Shqipërisë në Irak, atëherë e kupton dhe pse jemi kaq mbrapa me Marrëveshjen e Asocimit .

Por, ndërkaq lloji i qeverisjes që do të dalë nga zgjedhjet, përcakton rolin, që do të ketë Shqipëria në elementë të caktuar të marrëveshjes, që do të përcaktojë statusin e Kosovës, në aspekte të veçanta të saj. Nëse prej zgjedhjeve të Shqipërisë do të dilte një qeverisje e pakompleksuar dhe me autoritet në Kosovë, sigurisht zëri i shqiptarëve marrë në global do të rritej në planin sasior dhe cilësor. Por, me shumë gjasa, kjo nuk do të ndodhë. Nëse fiton PS, gjë që do të ndodhë me shumë kontestime, dhe në fund të fundit do të jetë fitore e ngushtë, shefi i saj Nano vetëm do të pranojë zgjidhjet e ofruara nga ndërkombëtarët, dhe nuk do të ketë asnjë zë në kapitull. Një gjë lehtësisht e kuptueshme për shkak të komplekseve të kreut aktual të ekzekutivit përkundrejt ndërkombëtarëve, ashtu dhe vizionit të tij për një diplomaci planetare, që zë fill prej zyrës së tij e që nënkupton moderacion modern. Ndërkohë thuajse e njëjta situatë pritet të ndodhë edhe nëse fiton zoti Berisha. Edhe ky do të rikthehej në pushtet me një sërë kompleksesh nga të së kaluarës, që nuk janë të pakta. Po të mbash parasysh bllokimin, që i është bërë një vizite të tij të mundshme në Kosovë, atëherë panorama e komplekseve të tij bëhet më e qartë; komplekset nga personale, shndërrohen në komplekse të diplomacisë së vendit amë. Natyrisht në rastin më të mirë, Shqipëria nuk do të ndikonte në linjat e përgjithshme të përcaktimit të statusit, por thjesht në hollësirat. Për më shumë nëse klasa politike do të kishte autoritet, ajo do të mund të kapitalizonte këtë autoritet nëpërmjet moderimit të përfaqësuesve kosovarë në favor të afirmimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Shqipërisë si një vend që i kontribuon paqes. Por dhe kjo nuk besohet se do të ndodhë, sakohë që aktualisht ky autoritet i Shqipërisë në Kosovë është i kufizuar.

E pra, siç duket viti 2005, pritet të jetë viti i Kosovës. Edhe nëse nuk do të përfundojë me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së saj, vijat e përgjithshme përcaktuese të statusit të saj të ardhshëm i takojnë 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›