E Diel, 1 Nëntor 2026

"Petallaj", 22 vite burg, 4 milionë lekë gjobë

14/04/2005  Gjykata zbut dënimin për bandën e trafikut të fëmijëve

TIRANË –Ndërsa Prokuroria kërkoi 34 vite burg për katër të pandehurit, gjykata e reduktoi këtë masë dënimi në 22 vite burg. Për gjykatën, rrezikshmëria ka qenë më e vogël se ajo që ka paraqitur akuza. Po kështu, Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka vendosur konfiskimin e disa pronave të vendosura në emrat e të pandehurve, duke ia kthyer në bazë të ligjit. Gjykata e ka pranuar ndryshimin e kualifikimit të veprës penale për katër të pandehurit e akuzuar, fillimisht për trafik të fëmijëve me qëllim përfitimi. Jo vetëm kaq, por vendimi i djeshëm ka zbutur ndjeshëm dënimin, duke e krahasuar me kërkesën e akuzës. Të pandehurit Besim Metani, Sofokli Coko, Musa Sina dhe Sofie Kadriu, u deklaruan fajtorë dhe u dënuan për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi, falsifikimi të dokumenteve dhe falsifikimit të akteve të gjendjes civile e vulave. Fillimisht të pandehurit u arrestuan dhe më pas u hetuan dhe gjykuan për veprat penale të organizimit të bandës kriminale, krijimit të bandës kriminale parashikuar nga nenet 333 dhe 334 të Kodit Penal, kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror për qëllime përfitimi neni 297/2 K.P., falsifikim i letërnjoftimeve dhe certifikatave dhe falsifikim të vulave e dokumenteve të tjera. Pas hetimit gjyqësor, gjykata pranoi se nenet 333 dhe 334 duhet të hiqen për të pandehurit dhe ata duhet të dënohen për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimin. Gjykata deklaroi se neni 333 dhe 334 nënkupton një shkallë tepër të lartë të organizimit, e shoqëruar kjo me dhunë fizike, ndërkohë në rastin konkret, të pandehurit e kanë kryer veprën pa ushtruar dhunë fizike, në formën e një organizimi të thjeshtë.

Trafikimi

Besim Metani dënohet me 5 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë, Sofokli Coko, 3 vjet dhe 1 milion lekë gjobë, Musa Sina, 8 vjet dhe 1 milion lekë gjobë dhe Sofie Kadriu 6 vjet dhe 1.2 milionë lekë gjobë. Vepra, sipas gjykatës, është kryer në bashkëpunim. Të pandehurit, u tha në vendim, kanë kaluar në drejtim të Italisë nga viti 1998 deri në vitin 2002 rreth 60 fëmijë nën moshën 18 vjeç. Shumica e fëmijëve kanë qenë meshkuj rreth 17-18 vjeç. Ndërsa një pjesë e fëmijëve është vërtetuar se janë bashkuar me familjet, një numër i madh prej tyre ende nuk kanë adresë. Edhe të pandehurit nuk kanë dhënë emra të saktë të fëmijëve me qëllim gjetjen e tyre. Për secilin nga fëmijët e kaluar për në Itali me ndihmën e të pandehurve, është paguar një shumë që shkon nga 200 mijë lekë të reja deri në 250 mijë. Paratë, pasi merreshin nga të pandehurit ndaheshin mes tyre, pasi gjithçka ishte e organizuar dhe kryhej në bashkëpunim. Për gjykatën, veprat në ngarkim të të pandehurve janë të vërtetuara plotësisht. Madje, Sofie Kadriu e ka pranuar para gjykatës se ka kaluar me dokumente të falsifikuara për qëllime përfitimi disa fëmijë. Ata që gjenin fëmijët ishin të pandehurit Sofokli Coko dhe Besim Metani. Ndërsa, Musa Sina dhe Sofie Kadriu bënin pjesën tjetër të punës. Pasi bëhej falsifikimi i dokumenteve, fëmijët kalonin kufirin me Sofie Kadriun, e cila i identifikonte si të sajët. Kadriu ishte e martuar dhe me pesë fëmijë. Kalimi i fëmijëve nga porti me linjën “La Vikinga” bëhej nëpërmjet shtetasit Nexhip Kaçuni, ish-bashkëshort i të pandehurës Sofie Kadriu, me të cilën ka pesë fëmijë. Ndërkohë që, Sofia bashkëjeton me të pandehurin Besim Metani. Sipas akuzës, të pandehurit kanë falsifikuar dokumentet për fëmijët, duke i ndryshuar edhe fotografinë në pasaportë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›