E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fati" i zonjës së Nobelit

Sigrid Undset është një pre tre shkrimtarëve norvegjezë e vlerësuar me një çmim "Nobel" për letërsinë. Undset e mori këtë çmim në vitin 1928 me motivacionin "për përshkrime të fuqishme të jetës mesjetare norvegjeze". Bëhej fjalë për dy cikle romanësh të ambientuara në vitin 1200, të përmbledhura në tre vëllime nën titullin "Kristin Lavransdatter" dhe katër volume me "Olav Audunssøn". Këto romane patën një sukses botëror. Letërsia e saj është letërsia e saj është imponuese, rrëfimi i saj bëri për vete lexuesit anë e kënd botës. Edhe para se të merrte çmimin "Nobel" librat e saj ishin përkthyer në disa gjuhë të botës. "Kristin Lavransdatter" është një nga veprat më të njohura të Undset. Në atdheun e saj, në Norvegji, të gjithë, burra, gra të rinj e adoleshentë, janë lexues të rregullt të veprave të saj. Librat e saj vazhdojnë të jenë nga më të lexuarit. Vepra e saj përfshin 36 libra, mes të cilëve romane mesjetare, romanet bashkëkohore dhe më pas Osloja e fundit të shekullit, deri në vitin 1930.

Lexuesi nuk është indiferent për asnjë prej librave të saj. Sigrid Undset përfshin në vetvete një pasuri të madhe si intelektuale ashtu edhe emocionale.

Ajo ka lindur në të njëjtin vit me Virginia Woolf e James Joyce, tre vite para D.H. Lawrence dhe Karen Blixen. Të gjithë këta autorë janë bashkëkohës të saj, personalitete secili në çdo cep të Evropës. Edhe pse veprat e tyre janë zhvilluar në kahe të ndryshme, ata të gjithë kanë një të përbashkët: janë bij të një Evrope, e cila gjendej në një krizë të thellë, e për këtë janë mjaft të ndërgjegjshëm. Temat e Sigrid Undset janë thellësisht norvegjeze, e në të njëjtën kohë po kaq evropiane. Ajo u rrit në një ambient tërësisht evropian, norvegjez, skandinav. Babai i saj Ingvald Undset, ishte një arkeolog mjaft i dëgjuar. E ëma, Charlotte Undset, ishte daneze. Sigrid Undset lindi më 20 maj të vitit 1882 në Danimarkë. Familja u transferua në Norvegji kur Sigrid ishte vetëm dy vjeç.

Sigrid u rrit në Oslo. Ajo shumë shpjet mësoi sekretet e arkeologjisë dhe sagat norvegjeze dhe këngët popullore të Skandinavisë. Vdekja e të atit, vështirësitë financiare më pas do të influenconin mjaft në fëmijërinë dhe adoleshencën e shkrimtares. Hoqi dorë nga studimet universitare, nisi një kurs për sekretare dhe në moshën 16-vjeçare nisi punë në një firmë. Për dhjetë vite me radhë punoi në të njëjtën firmë. Shpesh e urrente këtë punë dhe ndiente se ishte duke e harxhuar kohën dhe rininë e saj më kot. Por kjo punë e mësoi të punonte në mënyrë sistematike, gjë që e ndihmoi më pas jo vetëm si zonjë shtëpie, por edhe në detyrën e saj si kryetare e shoqatës së shkrimtarëve norvegjezë. Gjatë këtyre dhjetë viteve si sekretare, mundohet të gjente pak kohë edhe për të shkruar. Që në moshën 16-vjeçare Sigrid Undset nisi tentativat e para drejt të shkruarit. Asaj i pëlqente shumë Shekspiri, ishte entuziaste për Chaucer dhe tepër e tërhequr prej legjendës së mbretit Artur. Studioi me mjaft kujdes edhe dramaturgët skandinavë si Ibsen, Strindberg, Brandes dhe romancierët anglezë si motrat Brontë dhe Jane Austen. Ajo u thellua më shumë drejt asaj që ishte "fati" i saj. Në moshën

22-vjeçare kishte përfunduar dorëshkrimin e romanit të saj të parë. Ishte një roman historik, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në mesjetën daneze me tendencë thellësisht romantike. Dorëshkrimi u refuzua prej shtëpisë botuese dhe për Sigrid, ky ishte një zhgënjim i vërtetë. Disa vite më pas, ajo kishte përfunduar një tjetër roman, kësaj here më pak voluminoz, me vetëm 80 faqe. Kishte braktisur temën e mesjetës për të nisur një rrëfim në mënyrë më realiste, duke përshkruar një figurë femërore bashkëkohore, një grua borgjeze në Oslo. Libri titullohej "Fru Marta Oulie" (Zonja Marta Uli), një roman i cili për herë të parë pritet të vijë edhe në gjuhën shqipe në vitin 2009, nga "Skanderbeg Books". Libri nis me një frazë ekstremist skandaloze për kohën: "Jeg har vært min mand utro", ("Unë nuk i qëndrova besnike tim shoqi"). Edhe ky dorëshkrim u refuzua fillimisht, por menjëherë më pas u pranua pas ndërhyrjes së një shkrimtari me mjaft influencë për kohën. Ky ishte edhe debutimi i 25-vjeçares Sigrid Undset. "Zonja Marta Uli" ishte një roman i vogël, realist që zgjoi reagime tek intelektualët e kohës, hera-herës u quajt edhe skandaloz. E megjithatë, falë tij, ajo u cilësua si një nga të rinjtë më premtues të kohës. Ajo përshkruan konfliktin midis opinionit klasik për kohën si një e tërë, dhe idesë moderne se jeta është shprehje e bashkimit të fragmenteve. Karakteri kryesor në libër është mësuesja dhe gruaja, Marta Benniche. Me shprehjen e famshme: "Unë nuk i kam qenë besnike tim shoqi", Marta hap pas 11 vjetësh martese ditarin, si një lloj rrëfimi që do ta bëjë për dy vjet. Ditari është vetë romani, sepse Marta ka një monolog, ku shpjegon ndjenjat e saj të fajit për të shkuarën dhe e jep këtë hapur. Kështu, Undset i fut lexuesit në radhën e parë. Gjatë romanit është e qartë se çfarë kishte para së pavërtetës tradhtuese të Martës. Mënyra e rrëfimit të Undset të kujton

mënyrën retrospektive të teknikës së Ibsenit në dramat e tij.

Undset ishte mjaft e ndrojtur e me pak miq. Megjithatë kishte një sy veçanërisht të kujdesshëm në vlerësimin e njerëzve. Ajo arrinte të kuptonte pa vështirësi deri në thellësi të shpirtit të tyre. Gjatë qëndrimit në Romë, ajo njihet m piktorin norvegjez Anders Castus Svarstad, me të cilin do të martohet tre vite më vonë. Shkrimtarja mori pjesë në mjaft debate publike sa i përket disa prej temave më domethënëse në Evropën e asaj kohe: kritika për emancipimin e gruas, mënyrën se si po zhvillohej ky emancipim, perëndimin e etikës dhe moralit.

Gjatë kësaj periudhe, ajo nis të shkruajë veprën e saj më të vlerësua "Kristin Lavransdatter". Për të, punoi më shumë se 15 vjet. Me këtë roman, ajo tregon se ka ndryshuar mjaft që nga koha kur shkroi romanin e saj të parë. Kishte provuar pasionin dhe fundin e tij të hidhur, provoi dhimbjen e thellë që sjell me vete një fëmijë i sëmurë. Provoi gjithashtu dëshpërimin e madh kundrejt një bote, që ishte zhdukur në një det me gjak gjatë Luftës së Parë Botërore. Kur shkroi "Kristin Lavransdatter" në 1919, ajo dinte shumë për jetën. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore do ta shpërbëjë si qenie njerëzore dhe si shkrimtare. Lufta i merr të gjitha forcat. Në 1940, së bashku me djalin e saj të vogël, pas largimit drejt Suedisë e Amerikës, kthehet në Norvegji në vitin 1945. Ishte e shkatërruar. Jetoi edhe për katër vjet të tjera, por pa mundur të shkruante asnjë fjalë të vetme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›