E Shtunë, 31 Tetor 2026

SUPERFUQIA E BALRAM HALLVAXHIUT

1.

Kina dhe India do të jenë shtetet prijëse në vitin 2025, thotë titulli bombastik, që del nga një studim i bërë nga analistë të shërbimeve sekrete amerikane, të përgatitur për administratën e ardhshme amerikane, e të publikuar gjatë kësaj jave. Sipas këtij parashikimi, Kina do të jetë ekonomia e dytë dhe fuqia e dytë ushtarake më 2025, e për shkak të vetë madhësisë së territorit e popullatës, rritja ekonomike e Indisë do të jetë e tillë sa, e kombinuar me atë të Kinës, do të ndryshojë balancat politike, ekonomike dhe ushtarake të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë këtij viti, dy libra u morën me një këndvështrim të konstatimeve që tash e bën sistemi amerikan i inteligjencës. I pari ishte ai i Fareed Zakaria ("Bota post-amerikane", për të cilin tashmë shkrova në këtë rubrikë), edhe vetë me prejardhje nga India. Njëra prej tezave të tij themelore, që lidhej pak edhe me emocionin e të folurit për vendlindjen, ishte se rritja ekonomike e Kinës ishte rritje e ekonomisë së hapur brenda sistemit autoritar. Pra, kur udhëheqja komuniste, thoshte ai, do një aeroport, apo një rrugë tetë korsish, sistemi i centralizuar këtë edhe e prodhon, gjë që tërheq investimet e huaja në vend. Për dallim prej Kinës, vazhdon autori, India është duke bërë rritje ekonomike falë ekonomisë së tregut (pas eksperimentimeve me shartime të ekonomisë socialiste) brenda një demokracie. Në afat të mesëm dhe të gjatë, mendon Zakaria, India ka gjasa të tërheqë investimet e huaja m‘u për shkak të stabilitetit që e jep demokracia, kundruall krizave të ardhshme, me të cilat do të ballafaqohet Kina, për shkak të nevojës së popullit për më shumë liri politike, pas fitoreve të atyre ekonomike.

Libri tjetër, i një gazetari tjetër indian që punon, apo ka punuar për një revistë amerikane (Zakaria është në ‘Newsweek‘), është "Tigri i bardhë" (Atlantic Books, Londër, 2008) i ish- korrespondentit të revistës ‘TIME‘, Aravind Adiga. Dhe, ky libër, për dallim prej atij të Zakarias, është roman, është libër i parë dhe fitues i sivjetmë i çmimit prestigjioz britanik ‘Man Booker‘.

2.

Balram Halwai, kryepersonazhi dhe rrëfimtari i këtij romani e sheh nga së poshtmi realitetin e analizuar nga shërbimet sekrete amerikane. I lindur në fshat, nga një nënë e sëmurë "që pështyn gjak" dhe një baba hamall, "që nuk ka kohë për të më pagëzuar", Balram filloi shkollën me emrin Munna, apo "çun" në gjuhën Hindi dhe kështu vazhdoi deri vonë, kur hyri në punë si shofer te një familje e kamur, e cila, duke mos pranuar se Munna është emër personal, e pagëzoi me emrin Balram.

Për të, India është e ndarë mes Territ prej nga vjen ai dhe tërë India rurale, dhe Dritës, qyteteve si Bangalore, që janë shndërruar në makina motorike të rritjes së Indisë, duke ofruar shërbime për kompani të mëdha amerikane e multinacionale në fushën e informatikës. Të qyteteve, ku falë teknologjisë dhe diferencës së orës, po të jetosh në Nju Jork (New York) dhe të kesh prishje në sistemin kabllor televiziv, në momentin kur të ankohesh me telefon do të lidhesh me dikë thellë në subkontinentin indian, që do të marrë ankesën dhe do të sugjerojë, eventualisht, zgjidhjen.

Në këtë ndarje, kalimi prej Territ në Dritë është i mundur në dy mënyra. Njëri është ndërlidhja me politikën, gjegjësisht, korrupsioni në politikë. Një bashkëfshatar i Balramit, kalon shpejt rrugën prej ndihmës-rojtarit të derrave në anëtar Parlamenti të Indisë, duke i shërbyer partisë fituese në vjedhjen e votave. Tjetra është krimi klasik, të cilin e zbaton Balrami, duke e vjedhur dhe vrarë padronin e tij, e duke filluar një shërbim taksi në Bangalore, me paratë e përgjakura.

3.

Majkëll Portilo (Michael Portillo), ish-ministër britanik, dhe kryetari i jurisë së sivjetme të ‘Man Booker‘, duke arsyetuar përzgjedhjen e këtij romani për çmim, shpjegoi se për të ishte një vështrim i ri i Indisë, të cilën nuk e kishte parë.

Në fakt, kundrimi i brendshëm i autorit thyen disa prej imazheve të krijuara për këtë vend gjigant. Njëri prej tyre, se kemi të bëjmë me demokracinë më të madhe në botë (të 1.2 miliardë banorëve) konfrontohet me Balramin, i cili është "votuesi më besnik i Indisë, por ende nuk e kam parë nga brenda vendvotimin". Në Terrin e Balramit, ditën kur bëhen zgjedhjet, atë e thërrasin në zyrën e vendit, e pyesin sa vjet ka dhe kur marrin përgjigjen se nuk di, i thonë që ka 18 vjet, ia marrin shenjat e gishtërinjve e njëkohësisht me to, edhe votën për partinë, për të cilën është kontraktuar i tërë fshati.

Imazhit të një demokracie, e cila po bëhet superfuqi ekonomike, i konfrontohet edhe sistemi i kastave, i cili parapërcakton se ç‘do të jetë profesioni i ardhmërisë. Balrami, për fat të mirë të tij, nuk u përket "të paprekshmëve", të cilët mund të jenë vetëm pastrues rrugësh, por i përket kastës Hallvai, hallvaxhinjve, gjegjësisht ëmbëltorëve, të cilët janë të parapërcaktuar të gatuajnë deserte dhe të shërbejnë çaj. Dhe, të qenit pjesë e kësaj kaste i ndihmon që të fitojë pozitën e ndihmës-shoferit, e pastaj edhe të shoferit.

Ndërsa imazhit të shtetit të së drejtës, me të cilin mburret India dhe trashëgimia e saj koloniale britanike, i kundërvihet tashmë vrasësi Balram, fotografia e të cilit gjendet gjithkund në Indi, ndërsa ai hyn në stacionin policor të Bangalorit, për të blerë me ryshfet komandantin e policisë, në mënyrë që të krijojë monopolin e taksistëve të natës.

4.

Romani është i shkruar si një letër e gjatë Kryeministrit kinez, Wen Jiabao, si një kornizë që lejon, me letërsi, të elaborojë një ese të gjatë për Indinë, posaçërisht për një ndjenje kolektive të Indisë që don ta zë hapin me Kinën.

Dhe, përfundimet e Balram Halvaxhiut, tashmë ndërmarrës i suksesshëm, janë se të bardhët janë bërë barkmëdhenj, se përdorin shumë telefona celularë që i lënë pa mend dhe potencë seksuale dhe se duke u lejuar martesa homoseksuale në Amerikë, po bie prania fizike e njeriut të bardhë.

Parashikimi i tij: "Njeriu i bardhë do të marrë fund brenda viteve të jetës sime. Ekzistojnë edhe zezakët e të kuqtë, por nuk di se ç‘do të ndodhë me ta... Radioja kurrë nuk ka lajme për ta. Parashikimi im modest: Brenda njëzet vitesh do të jemi vetëm ne, të verdhët dhe të kafenjtë në majë të piramidës, dhe ne do ta sundojmë botën".

Në një formë tjetër, për ngritjen e Kinës dhe Indisë flisnin analistët e shërbime sekrete amerikane. Por, edhe ata si Balrami, kishin parasysh Indinë e Territ dhe Dritës, aventurat e hallvaxhiut, dhe konstatuan, së bashku me letërsinë e Aravind Avigas, që, "ndonëse mendojmë se Kina e India do të vazhdojnë rritjen, kjo ngritje nuk është e garantuar, dhe do të kërkojë tejkalim të pengesave të larta ekonomike e sociale. Për shkak të kësaj, të dy shtetet do të jenë të detyruara të përqendrohen në gjendjen e brendshme".

Këtë gjendje të brendshme, Aviga e shpjegoi me thjeshtësinë e një letërsie, që, ndonëse jo shumë e lartë, megjithatë mbërriti cakun përtej asaj që do të bënte një ese.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›