E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjitha llogaritë e Presidentit

Votat u numëruan në pak orë, ndërsa llogaritjet mbi financimet e zgjedhjeve amerikane 2008 ende nuk kanë përfunduar. Për muaj të tërë është shkruar se kjo ka qenë një fushatë prej 2 miliardë dollarësh, rekord në historinë amerikane. Por, sipas Qendrës për Politikat Përgjegjëse të Uashingtonit, kur të numërohen paratë e fituara nga të gjithë kandidatët, demokratë e republikanë, në garë për Shtëpinë e Bardhë, Kongresi (35 senatorë, 435 deputetë) dhe 11 guvernatorët, rezultati do të jetë shokues. Vlera mund të arrijë në 2,8 miliardë dollarë. Nga ky lumë parash, 750 milionë e 767 mijë e 963 dollarë kanë përfunduar, sipas llogaritjes së fundit, në shtëpitë e fushatës elektorale të Barack Obama-s. Sapo kanë filluar verifikimet edhe mbi përbërjen e thesarit të tij. Sipas instituteve më të besuara të kërkimit të Uashingtonit, nuk është e vërtetë se pothuajse gjysma e financimeve u mblodh mes dhuruesve të vegjël, ashtu siç është përsëritur shumë herë. "Realisht, vetëm 25 për qind e parave të grumbulluara nga Obama kanë ardhur prej njerëzve që kanë dhënë më pak se 200 dollarë". Ky është vlerësimi i Craig Holman, që udhëheq institutin "Qytetar publik". Këtyre llogaritjeve u janë shtuar edhe ato të Qendrës për Politikat Përgjegjëse.

Holman pohon se llogaritjet mund të mos jenë precize: ligji elektoral nuk të detyron të deklarosh emrin e atij që dhuron më pak se 200 dollarë. Kështu u duhet besuar thënieve të personave që merren me thesarin e Obama-s. Sipas tyre, rreth 3 milionë amerikanë kanë kontribuar me shuma të vogla parash për zgjedhjen e Presidentit: "Gjithsesi, bëhet fjalë për një revolucion. Është dyfishi i kontribuuesve të vegjël të Howard Dean, që në vitin 2000 inauguroi epokën e dhurimeve online. Por rëndësia e financuesve të mëdhenj për zgjedhjen e Obama-s është më e madhe nga ç‘mendonim".

Ligji elektoral nuk lejon që një person të kontribuojë më shumë se 4600 dollarë, 2300 për zgjedhjet kryesore dhe po aq për zgjedhjet e zakonshme. Megjithatë, ka mënyra të ndryshme për të manipuluar rregullat. Si Obama, ashtu dhe John McCain kanë formuar komitete të ndryshme financimi të lidhura me njëra-tjetrën (joint fundraising committee). Në këtë rast, dhuruesit mund të firmosnin pagesa deri në një maksimum prej 70 mijë dollarësh, me një kuotë që i shkonte kandidatit dhe pjesës tjetër të partisë. Kështu, Obama mblodhi rreth 183 milionë dollarë, kundër 176 milionëve që mblodhi McCain. Përmes këtyre komiteteve, këtë vit lindi një kategori e re financuesish me emrin "mega bundlers". Të angazhuar fillimisht në vitin 2000 nga George W. Bush, "bundler" mbledhin shuma të madha, duke filluar nga 2300 dollarë. "Mega bundlers" bëjnë të njëjtën gjë, duke vënë së bashku shumat e caktuara prej 70 milionë dollarësh, miratuar nga komiteti i financimeve. Për Obama-n kanë punuar 606 "bundlers", 111 prej të cilëve të kategorisë mega. Pjesa tjetër janë në nivelet maksimale te skuadra që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Këtu veçohen Julius Genachowski dhe Don Gips, të cilët kanë mbledhur më shumë se 500 mijë dollarë për person. I pari është një sipërmarrës në sektorin e teknologjisë së lartë, i dyti është zëvendëspresident i grupit "Level 3", që prodhon fibra optike. Së bashku janë kandidatë për drejtimin e komisionit federal të komunikacionit, roli i të cilit këtë vit është edhe më kritik, sepse që nga 17 shkurti sistemi televiziv amerikan do të braktisë transmetimet analogjike, për të përqafuar "hight definition". Nëse në epokën e Bush-it kompanitë e telekomunikacionit dhe ato tradicionale të shpërndarjes me kabllor e bënë të tyren, me Obama-n peshorja e pushtetit mund t‘u kalojë grupeve të mëdha të internetit.

Si Genachowski, ashtu edhe Gips, kanë studiuar në Universitetin e Harvardit dhe së bashku me Universitetin e Kalifornisë, atë të Kolumbias dhe Çikagos, figurojnë mes organizatave të para që kanë financuar fushatën elektorale të banorit të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë.

Universiteti i Harvardit ka një interes të madh për studimin e qelizave staminale, financimi publik i të cilit u ndalua nga Bush, por që tani do të riintegrohet prej Obama-s. Mes "mega bundlers" janë edhe përfaqësuesit e sektorit imobilar, si Valerie Jarrett, mikesha e familjes Obama, e cila ka mbledhur 200 mijë dollarë. Mes financuesve të mëdhenj të Obama-s janë edhe George Soros e Kenneth Griffin, themeluesi i "hedge fund Citadel" të Çikagos: asnjëri prej tyre nuk do të dëshirojë një post të rëndësishëm në administratë, por është e sigurt se të tjerët do ta përfitojnë një të tillë. Sipas një studimi të "Washington Post", 104 nga 246 financuesit e mëdhenj të fushatës presidenciale të Bush-it morën një kandidaturë si ambasadorë apo një post të rëndësishëm në administratë. Të paktën, për momentin, Obama po "sillet mirë": vetëm 10 për qind e skuadrës së tij transferuese përbëhet nga dhuruesit e mëdhenj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›