E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaqo Bushaka

"Unë jam një rrëfimtar i keq...". Këtë e thotë pikërisht Gaqo Bushaka, shkrimtari që u dha fëmijëve personazhin e dashur të Çufos. Ato që hidhte mjeshtërisht në rreshtat e librave nuk arrinte dot t‘ua tregonte as fëmijëve të vet. Ndonëse ka shumë vite mbi shpatulla e i dallojnë flokët e thinjura të moshës, ai vazhdimisht ka jetuar si fëmijë. E njeh mirë botën e tyre. I ka bërë të shkulen së qeshuri me personazhet e tij. Ka pesë vjet që punon për të sjellë aventurat e fundit të Çufos. E ka bërë president. Libri ka dalë këto ditë në treg nga shtëpia botuese "Çabej". Bushaka mendon se është seria e fundit e librit që shkroi gjatë 30 vjetëve. Po si lindi dhe si u rrit Çufoja? "Që në fillim kam dashur të bëj një libër që t‘i bënte të qeshnin e t‘i argëtonte fëmijët. Por sigurisht përfshija edhe anën edukative. Megjithatë nuk më duhej të mendoja vetëm se çfarë pëlqenin fëmijët. Më parë duhet ta pëlqenin prindërit e tyre që ta blinin. Kjo më lodhi shumë. Jam përpjekur ta ruaj këtë deri në fund. Besoj se e kam arritur qëllimin. Gjatë 30 vjetëve që kam shkruar të katërt librat, janë 380 mijë kopje të shitura dhe vazhdon të kërkohet ende", tregon shkrimtari. As vetë nuk arrin ta shpjegojë plotësisht këtë popullarizim të "Çufos". Jo se ka punuar më pak për libra të tjerë si "Guna e zezë", apo përrallat. Por ndër vite ruan kujtime episodesh të veçanta që lidhen me këtë personazh. "Më kujtohet që Ismail Kadareja tha atëherë se ‘Çufoja‘ është i pari libër që lexohet dy herë në familjen tonë; kurse Dritëro Agolli tha se e ndëshkoi djalin dhe prapë e mori librin dhe e futi poshtë jastëkut". Në përfytyrimin tonë Çufoja mbetet një pjesë nostalgjike e fëmijërisë. Ka shumë të tillë që e ndalojnë në rrugë shkrimtarin për ta përgëzuar. Të tjerë, që kanë marrë rrugët e largëta, komentojnë në faqe interneti e duan të dinë se ç‘bëhet me shkrimtarin e Çufos.

Sigurisht që i duhet të merret edhe me punë të tjera që të sigurojë jetesën. Letërsia për fëmijë për të është një pasion nga i cili nuk heq dot dorë. Ai tregon se nuk e ka të vështirë të jetojë në botën e tyre. "Nuk e kam të zorshme, sepse është diçka e lindur tek unë. Njëherë kompozitori Limoz Dizdari më kërkoi t‘i bëja një tekst kënge për një festival. Pranova dhe nisa ta shkruaj. Në fund, teksti kishte dalë prapë për fëmijë. Më pas e kompozoi atë këngë, të cilën më duket se e ka kënduar Ardit Gjebrea", kujton Bushaka. Ai është shkrimtari i disa brezave. Por e pranon se kohët kanë ecur e po ashtu edhe zhvillimi i fëmijëve. Këtë ndryshim e sheh me anët pozitive dhe negative të tij. Sipas shkrimtarit, televizori, kompjuteri, të afërm që vijnë nga jashtë e tregojnë, të gjitha këto ia kanë zgjeruar horizontin fëmijëve. Dashje pa dashje bota është bërë më e vogël. Por ai e ka një merak. "Ka një hallakatje dhe lënie pas dore të librit. Këtë do ta paguajmë jo lirë, sidomos për zhvillim e gjuhës shqipe. Është vështirë ta mësosh gjuhën nga televizori. Libri është i pazëvendësueshëm". Por letërsinë për fëmijë e sheh gjithnjë e më keq. "Po shkon nën nivelin e detit", shprehet Bushaka. Si e kupton që në një shoqëri të tillë konsumi, kur kjo lloj letërsie nuk të krijon të ardhura, njerëzit zgjedhin t‘i largohen. Ata pak që kanë ngelur, e kanë të shkruarit si një zakon të vjetër, pa të cilin nuk mund të bëjnë dot. "Letërsia për fëmijë ka mbetur vetëm për ata që e kanë pasion. Sot janë të pakët. Pjesa tjetër, mbase pjesërisht do të plotësohet me libra të përkthyer, por nuk janë të shumta shtëpitë botuese që përkujdesen për këtë pjesë", thekson ai. Por pse vazhdon ai të shkruajë? "Është diçka e brendshme që duhet ta hedhësh në letër. Përndryshe nuk të lë të qetë. Atmosfera për librin nuk është mirë dhe kjo duhet të shikohet nga shteti", thekson shkrimtari. Edhe në jetën e përditshme, e karakterizon humori. Beson se e ka trashëguar nga e ëma, ndonëse ajo nuk dinte as të lexonte as të shkruante. Ka shokë që i njeh prej 40 vitesh. Bushaka kujton se në fillim, kur shkonte të punonte në sallën e vetme të Bibliotekës Kombëtare, shumë e quajtën si të çmendur. "Më pas të gjithë më deshën. Unë nuk ia prishja njeriut qejfin". Ndonëse ka vendosur që t‘u japë fund aventurave të Çufos, ai vazhdon e shkruan. Është duke punuar për të sjellë një vëllim me përralla popullore të ritreguara nga ai vetë. Gjithashtu shprehet se "po mundohem t‘i bëj më të kapshme nga fëmijët. Gjuha e tyre, sidomos e atyre të botuara në vëllimet e para të folklorit të hershëm, janë shumë të vështira". Përsosmëria për të nuk ka fund, por shprehet se nuk ka asnjë peng, apo merak deri në ditët e sotme. "Unë gjithnjë e kam ndjerë dashamirësinë e njerëzve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›