Në 2007-n, leku jashtë bankave u ul me 5 për qind
Banka e Shqipërisë ka deklaruar se gjatë vitit 2007 paraja jashtë bankave pësoi rënie me 5 për qind. Sipas BSH-së, ritmet e rënies së parasë jashtë kanaleve bankare do të ishin më të mëdha në rast se kredia në favor të sektorit privat nuk do të rritej me këto nivele. Zgjerimi i parasë në ekonomi ka ndjekur ritmet e larta të kreditimit në sektorin privat nga sistemi bankar. Nga ana tjetër, krijimi i flukseve monetare në formën e kredisë për sektorin privat dhe atë publik është shoqëruar me pakësimin e rezervës valutore neto të sistemit bankar, e cila ka dhënë një kontribut negativ në zgjerimin monetar. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2007, rritja e parasë në qarkullim paraqiti ngadalësim në 13 për qind, krahasuar me 16.5 për qind që u rrit mesatarisht në gjysmën e parë të vitit. Sipas të dhënave të fundit të autoritetit qendror bankar, kërkesa e ekonomisë për para ka vijuar të jetë e lartë. Edhe pse ritmet e rritjes së kredisë janë ngadalësuar, ajo vazhdon të jetë një ndër faktorët kryesorë në zgjerimin e parasë së gjerë në ekonomi, duke përbërë potencial për presione inflacioniste në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Kontributin kryesor në rritjen e kredisë e japin bizneset, por gjatë vitit 2007 kreditimi i individëve ka ruajtur norma të larta rritjeje, duke kontribuar gjithmonë e më shumë në zgjerimin e portofolit të kredisë. Zgjerimi i portofolit të kredisë gjatë muajve tetor-dhjetor 2007 në vlerë absolute arriti nivelin rekord prej 32.8 miliardë lekësh, mbi 50 për qind e së cilës u akordua vetëm gjatë muajit dhjetor. Ky fenomen rriti në mënyrë të konsiderueshme presionet për zgjerimin e parasë jashtë bankave.
25 Mars 2008