E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndërprerje të kontratave ndaj kompanive që nuk kanë financuar projektet e fituara”

29-09-2011 / Gazeta 55

HEC-et, Berisha: Rishikim të licencave të 200 hidrocentraleve

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje të gjitha kompanitë që zotërojnë kontratat për ndërtimin e HEC-eve, se mos financimi në kohë i tyre, automatikisht do të çojë në ndërprerjen e lejes.
Sipas kryeministrit, kompanitë, të cilat me gjithë zgjatjen e afateve nuk kanë qene të afta të garantojnë financimin e projekteve të tyre do të detyrohen të zbatojnë kontratën e firmosur, pra rrjedhimisht do të humbasin të drejtën e saj. Berisha kërkoi nga ministria përkatëse shqyrtimin e afateve kohore të licencave të marra shumë kohë më parë, nga kompani të cilat me gjithë zgjatjen e këtyre afateve nuk kanë qenë të afta të garantojnë financimin e projekteve të tyre.
Kryeministri u shpreh që në këto kushte, kompani të tilla do të detyrohen të zbatojnë kontratën e firmosur, pra të humbasin  të drejtën  e saj.
“Kompanitë, të cilat me gjithë zgjatjen e afateve nuk kanë qene të afta të garantojnë financimin e projekteve të tyre do të detyrohen të zbatojnë kontratën e firmosur, pra rrjedhimisht do të humbasin të drejtën e saj, në termat  e kontratës. Duhet të ketë një mekanizëm që ti parandalojë rikthimin e tyre në garë për së dyti. Ata patën një shans, nuk e realizuan dot, për herë të dytë nuk kanë të drejtë morale”,  u shpreh kryeministri.
Duke qenë se interesi për investime në fushën  energjisë është shumë i lartë, kryeministri theksoi se është e domosdoshme që nëpërmjet zbatimit të vendimeve përkatëse të qeverisë tu jepet shansi dhe mundësia për investime të gjitha kompanive serioze, të cilat plotësojnë kushtet për realizimin e këtyre ndërtimeve.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ndal në mënyrë të veçantë në vendimet për dhënien me koncesion të hidrocentraleve të ndryshme mbi kaskadën e lumenjve të Grabovës dhe Osumit.
Kryeministri theksoi se nisur nga veçoritë karakteristike të lumenjve, do të marrë përparësi ruajtja e tipareve që përbëjnë vlera natyrore. “Natyrisht kanionet përjashtohen nga çdo lloj cenimi, pasi janë një pasuri e jashtëzakonshme. Osumi është lumi  me pjerrësinë më të madhe në Shqipëri, zbret nga 900 metra lartësi, por kanionet nuk do të preken. Ato do të mbeten të ruajtura si një monument mahnitës natyror”, deklaroi më tej kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›