Jetimëve su duhen qelepirxhinjtë
Askush nga institucionet përgjegjëse shtetërore, por edhe OJF, nuk janë në gjendje të thonë sa është numri real i fëmijëve jetimë sot në Shqipëri. Në fakt, kemi një situatë të rënduar, pesimiste dhe tepër dëshpëruese, pasi panorama që shohim të gjithë në sfondin social, me të gjithë gamën e gjerë të problematikave që kanë sot fëmijët jetimë në mbarë vendin është e trishtueshme, e frikshme... (Po të kemi parasysh varfërinë masive që ka pllakosur shtresat e pambrojtura të shoqërisë, krimin brenda familjes, divorcet, gjakmarrja, fëmijët rom të abuzuar nga shfrytëzuesit e tyre permanent, që janë në radhë të parë prindërit e tyre, etj., janë tregues sinjifikativ të një numri të konsiderueshëm në rritje të fëmijëve në risk për të mbetur jetimë).
Edhe më e frikshme bëhet kjo situatë kur shpesh, individë të papërgjegjshëm, të cilët prej vitesh vegjetojnë lehtë në guaskën e OJF-ve brenda Shoqërisë Civile, të prirur nga protagonizmi shterpë, nihilizmi dhe interesa të ngushta për përfitime personale, nxitohen dhe nuk ngurojnë aspak për të bërë deklarata të bujshme me shifra që tronditin vërtetë shoqërinë dhe mbarë opinionin publik, siç ishte deklarata e bërë në një takim me Kryeministrin, nga përfaqësuesi i njërës prej shoqatave që merren me jetimët në vendin tonë, i cili deklaroi se sot në Shqipëri ka 80.000 familje me fëmijë jetimë.
Kjo deklaratë absurde, që është jashtë çdo përfytyrimi të cilitdo njeriu normal, nuk ka nevojë për koment.
Sepse, në radhë të parë, ajo mund t’i shërbejë atyre që e artikulojnë me cinizëm, por, assesi nuk i shërben fëmijëve jetimë, të cilët presin realisht ndihmën e shtetit, por edhe të këtyre organizatave që, për fat të keq, në më të shumtën e rasteve kanë qenë inekzistente, pse jo edhe abuzive e informale në misionin e tyre. Ato nuk kanë mundur të ndikojnë dukshëm për të ndryshuar realitetin tragjik të këtyre fëmijëve fatkeqë.
Fëmijët jetimë nuk kanë nevojë për të ashtuquajtura “ndihma” me veshmbathje e ushqime, të zhdoganuara herë pas here në emër të “bamirësisë” nga ndonjë shoqatë abuzive. Ata s’kanë nevojë as për ata përfaqësues shoqatash, të cilët me “akrobaci trampoline” përdorin si “kartë ligjore” dhe pa kriter nëpër doganat tona NIPTIN e lëshuar nga shteti, apo edhe ndonjë referencë të lëshuar nga MPÇSSHB si “garanci morali” për besueshmërinë e tyre.
Të aftë për të manipuluar me trafikun e influencës në emër të zyrtarëve të lartë shtetërorë, këta individë, fare haptas dhe pa iu dridhur zëri, nuk ngurrojnë të deklarohen dhe të prezantohen në mënyrë abuzive si OJF - shtetërore pranë zyrave dhe subjekteve të ndryshme me kërkesat e tyre për “ndihmë ndaj jetimëve”, me qëllimin e vetëm: fitimin me anë të mashtrimit.
Situata është e patolerueshme. Jetimët më së shumti do të preferonin respektin dhe përfaqësimin dinjitoz të tyre, një ligj sa më të fortë dhe bashkëkohor që i mbron ata si në aspektin social, ashtu edhe në atë juridik.
Shqipëria tashmë e ka kaluar fazën e tranzicionit dhe nuk mund të prezantohet vazhdimisht si vend i krizave dhe i emergjencave përballë institucioneve ndërkombëtare.
Lypset më shumë vigjilencë nga ana e përfaqësuesve të biznesit, fondacioneve dhe Trupi Diplomatik, me qëllim që kontributi i tyre të mos shpërdorohet nga individë, të cilët, si pleq të lajthitur dhe të trullosur nga makutëria, sillen vërdallë rrugëve të Tiranës dhe Durrësit në pritje të “gjahut” të radhës… Nga ana tjetër, individë të tillë, për fat të keq, prej vitesh gjejnë mbështetje edhe nga zyrtarë të lartë të administratës shtetërore; mbase edhe për shkak të ndjeshmërisë të problematikës që kanë jetimët, apo nga mosnjohja e background-it të cilët ata përfaqësojnë, por, edhe në këmbim të heshtjes për shumë probleme që sot jetimët kanë.
Gjykoj se jetimët nuk kanë më nevojë për këta përfaqësues - qelepirxhinj e matrapazë socialë, që në gjithë këto vite s’kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë penguar kauzën dhe integrimin real të tyre. Jetimët kanë nevojë për një përfaqësim dinjitoz nga ana e drejtuesve të tyre, për një qëndrim të prerë, me kërkesa të ligjshme, përballë institucioneve shtetërore që janë përgjegjëse për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe të drejtat që u takojnë atyre përsa i përket strehimit, arsimimit, punësimit, ndihmës shëndetësore dhe gjithçka tjetër që lidhet me fasilitetet që u njeh statusi i tyre ligjor.
Sepse këta fëmijë, pasi mbushin moshën 14 vjeç, largohen nga këto qendra dhe transferohen nëpër konvikte, ku edhe ndjekin më pas shkollat e mesme, kryesisht ato profesionale. Sigurisht, këtu nis dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të përballuar shumë vështirësi që u dalin.
Shumë prej tyre, detyrohen të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa dhe rrugë të pandershme për të mbijetuar. Kjo është edhe drama më e madhe e jetës së tyre, ku shpresat për të ardhmen veniten dhe askush nuk kujtohet më për ta.
Raporti prej 40 faqesh që Amnesty International bëri publik vitin e kaluar, është një akuzë e rëndë që i drejtohet shtetit shqiptar përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, duke mos i trajtuar këta jetimë njëlloj si shtetasit e tjerë të këtij vendi, në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme, duke i lënë përfundimisht të braktisur, pa shkollë, pa punë, pa strehë dhe pa ndihmë mjekësore.
Aktualisht në mbarë vendin, ndodhen nëpër konvikte, në të tilla kushte, mbi 400 të rinj jetimë. Situata është alarmante. Për fat të keq, ende nuk kemi një strategji të mirëfilltë kombëtare për të ndërhyrë me programe të qarta zhvillimi, me projekte sociale që do të bëjnë të mundur rehabilitimin dhe integrimin e jetimëve, veçanërisht për të rinjtë jetimë që mbarojnë shkollat dhe mbeten rrugëve të papunë dhe të pastrehë, për fëmijët e riskut që janë në komunitet dhe që përbëjnë numrin më të madh të fëmijëve në nevojë në të gjithë vendin.
Në vitet 2006-2007, janë lëshuar 2 VKM që lejonin transferimin e kompetencave nga pushteti vendor, tek pushteti lokal, për t’i dhënë të drejta të plota këtij të fundit në administrimin dhe menaxhimin e qendrave rezidenciale shtetërore në përputhje me situatën, nevojat dhe gjendjen që kanë këto Bashki dhe Komuna me shtresat në nevojë. Mirëpo, ky proces nuk ka ecur siç duhet, ngase shtetarët vendorë ende nuk po ndërgjegjësohen si duhet për të marrë përsipër këto përgjegjësi që u ngarkon ligja. Në gjykimin tim, mbase do të ishte më mirë që këto kompetenca t’i atribuoheshin prefekturave dhe qarqeve. Kjo do të bënte të mundur që situata të ishte më e kontrollueshme, rrjedhimisht e mirëmenaxhueshme.
*Autori është Drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë