Zogaj: Poezia është një fe e lirë nga dogmat
Alma Mile
“Zoti im, gjallë unë pashë/atë që di vetëm i vdekuri”. Përmes poezisë shkon larg, në skajet e mendimit njerëzor, atje ku ndahen e puqen jeta dhe vdekja, ku shpirti ndahet nga trupi e ku dashuria është gjithnjë e re në të palimitshmen herë. Vetëm pak ditë më parë, poeti Preç Zogaj u nderua me çmimin “Lasgush Poradeci”, për vëllimin më të mirë poetik të vitit 2008, me librin “Gjallë unë pashë”. Në një intervistë poeti shpjegon laboratorin e tij krijues. Çfarë e kthen tek poezia, përse shkruan dhe si mund të udhëtojë tek e pakapshmja.
Çdo të thotë për një poet të nderohet me çmimin, që mban emrin e lirikut të madh, Lasgush Poradeci?
Ministria e Kulturës ka vendosur që çmimi për vëllimin poetik më të mirë, të ketë emrin e poetit lirik, Lasgush Poradeci. Më parë quhej “Penda e argjendtë”, tani të gjitha çmimet janë pagëzuar me një emër. Ndarja e çmimeve është edhe momenti i evokimit të traditës sonë më të mirë letrare nëpërmjet emrave që kanë pagëzuar çmimet. Në rastin tim është një emocion dhe gëzim i veçantë që libri im “Gjallë unë pashë”, të shpallet si vëllimi më i mirë poetik për vitin 2008, “Lasgush Poradeci”. Këtë çmim mund ta marrë edhe një poet që nuk ka shumë qasje me poezinë e Lasgushit. Por në rastin tim, këtij libri i shkon ky emër, sepse në tërësi është një koleksion i lirikave të dashurisë. Në poezitë e mia, temat nuk janë të ndarë si me thikë. Brenda lirizmit erotik ka përsiatje të natyrës filozofike. Ka poezi që lidhen me familjen, me dukuri të tjera që bashkudhëtojnë me njeriun, siç është vdekja, raporti me të panjohurën. Por në thelb poezia ime është lirike dhe në këtë pikëpamje, është vazhduese e poezisë së Poradecit. Lirike, (më lejoni të citoj Stefan Zvajkun) në konceptin fisnik që ka vetë dashuria, apo erotika. Flasim për dashurinë, jashtë trupit, edhe në formën e vuajtjeve që janë njerëzore, apo të keqardhjes së shenjtë për atë që nuk mund të bëjmë dot tjetër, përtej dashurisë.
Në një kohë që duket kaq prozaike, çfarë e shtyn një poet të shkruajë poezi?
Poezia është një e folur me vete e poetit. Ajo nuk shkruhet me qëllim paraprak për të komunikuar, apo për të përcjellë një mesazh. Këto vijnë më pas. Momenti i të shkruarit është shumë personal, por i vetëdijshëm. Poezia mund të konsiderohet një gjuhë e gjallë që nuk flitet, por pa të cilën njerëzimi do të ishte memec. Poezia është fati që lidh kohërat, copat e historisë. Ka veçorinë që i drejtohet individit. Njeriu përfshihet nga rutina, nga preokupimet e përditshme, por në ditën e tij ka gjithnjë një fraksion kohe, ku ai është vetvetja dhe ky është momenti kur individi është personazh i poetit.
Çfarë e shtyn poetin të shkojë në skajet mes jetës dhe vdekjes?
Poezia synon që me anë të mjeteve shprehëse të shkojë në caqet e mendimit dhe kjo është një mënyrë që të çon natyrshëm tek tema e vdekjes, një temë themelore e njerëzimit, tek tema e madhe e dashurisë, e gjithkohshme dhe gjithnjë e re. Asnjë dashuri nuk imiton një tjetër. Dashuria është si fytyrat e njerëzve(duke përjashtuar rastet e binjakëve të stërngjashëm), që janë autentike. Kjo është një përpjekje për të shkuar në kufijtë më të skajshëm të abstraksionit dhe poezia e ka këtë luks. Si e tillë ajo është reale. Novalis thotë: poezia është vetë realiteti absolut. Dhe në këtë kontekst, jemi brenda një të vërtete artistike.
Mundet të konsiderohet si një lloj dhurate “hyjnore”, që jo të gjithë mund ta marrin?
Poezia ngjan me religjionin. Bibla është një poemë. Kreativiteti biblik është një shpërthim gjenialiteti. Edhe Kur’ani është një poemë. Muhamedi përshkruhet si një figurë e frymëzuar nga mesazhi i epërm, providencial. Poezia në vetvete është një fe, por në dallim nga religjionet e njohura, poezia nuk jeton brenda dogmës së vet, është gjithnjë në evoluim. Është e lirë.
Duket se viteve të fundit keni botuar më tepër...
Është e vërtetë se këto vitet e fundit kam rigjetur ritmin e fillimeve të mia letrare, kur shkruaja pothuajse përditë dhe botoja çdo vit një libër. Ky ritëm u prish në periudhën 1990-1996 kur, teksa u angazhova fort në lëvizjen demokratike, më është dashur të humbas kohë dhe energji në vorbullën e zhvillimeve politike kundërthënëse. Por fatmirësisht, tashmë kam gjetur ekuilibrin e nevojshëm. Sigurisht, të shkruarit e poezisë nuk i nënshtrohet ndonjë programimi. Poezia është shkruar e vazhdon “të shkruhet vetë”, në kuptimin që ajo vjen dhe shkon pa lejen e poetit.
Çfarë ka ndikuar në rigjetjen e këtij ekuilibri?
Kam jetuar e jetoj më shumë me letërsinë, me librat, me botimet, me artin në përgjithësi. Poezia lind nga poezia, kjo është një e vërtetë e njohur. Jam përpjekur e përpiqem të jetoj më shumë si krijues, si poet… Ky është një art i tërë i të jetuarit si njeri i lirë, i vetmuar dhe njëherësh i kudogjendshëm; i mbajtur fizikisht, i pastër shpirtërisht, i stërvitur në zanatin e të shkruarit. Mendoj se edhe mosha lë gjurmën e saj në natyrën e poetit. Unë kam filluar zbritjen në vjeshtën e moshës dhe më duket se, ndërsa në një anë përvoja ndihmon për të seleksionuar me mirë çfarë është ngacmim artistik dhe çfarë jo, zemra preket dhe thyhet më shpejt për shumë gjera. Poeti bëhet më i ndjeshëm, mendimi guxon më shumë të ndeshet me pikëpyetjet e mëdha të ekzistencës.
Thoni se përpiqeni të jetoni më shumë si poet, si qëndron raporti poet-politikan brenda jush?
Në pamjen klasike, të pastër të këtij dualizmi politikan-poet, këto janë alternativa të njëra-tjetrës. Qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, por mund të qëndrojnë edhe përkrahë. Këtu më vjen në ndihmë Salvatore Quasimodo me esenë e tij, të lexuar kur mori çmimin “Nobel” në vitin 1959. Edhe ai e kishte këtë shqetësim. Ai e justifikon “pajtimin” e poetit me politikanin, me kontekstin e një shoqërie në formim e sipër. Në rrafshin e lirisë absolute, ata kanë misione tërësisht të ndryshme, janë pushtete të ndryshme. Ekziston pushteti i poetit, shumë specifik, një pushtet i atij që është vetëm, por gjithashtu me secilin dhe si rrjedhim me të gjithë. Quasimodo e justifikon edhe me momentet e kthesave të mëdha, kur këto dy pika afrohen. Në rastin tim, unë nuk jam një politikan i vijës së parë, sepse po të isha, nuk do të kisha kohë të shkruaja poezi. Merrem me politikë, por më së shumti me poezi, sepse funksionet e mia janë të tilla. Por siç e thashë, poezia nuk planifikohet. Ajo vjen vetë.
Çfarë do t’i sillni lexuesit së shpejti?
“Gjallë unë pashë” u botua në fillimin e vitit të shkuar dhe gjatë kësaj kohe kam shkruar shumë poezi. Poezia ka një unitet që i kalon kalendarët, vitet. Si “rregull” autorët i mbledhin poezitë në vëllime. Kam një apo dy vëllime me poezi pa botuar. Kam shkruar edhe një roman, që do të shohë dritën e botimit shumë shpejt. Është një roman që ka në qendër fatin tragjik të një djaloshi, që lidh dy kohë, fundin e diktaturës dhe hapjen e vendit.