E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Ismaili: Naftëtari nuk do të tregohet euforik

Nga ARBEN ÇEPANI

 

Pas tre sezoneve mungesë, kuçovarët janë rikthyer në Kategorinë e Parë dhe të gjithë sportdashësit në qytet shpresojnë në një paraqitje të suksesshme të skuadrës. Sipas drejtuesve të klubit, objektivi i Naftëtarit gjatë këtij sezoni është mbijetesa. Ngjitja në të Parën u shoqërua me entuziazëm të lartë nga kuçovarët dhe tashmë pas vendosjes së stafit të ri teknik është konfirmuar edhe një herë se bashkia do të jetë ajo që do të financojë ekipin gjatë kampionatit të ri. Në Kuçovë e pranojnë faktin se në Kategoria e Parë do të jetë akoma më e vështirë këtë vit, pasi është rritur niveli i cilësisë së ekipeve pjesëmarrëse. Sekretari i klubit, Fatmir Ismaili pranon se Naftëtari në sezonin e ri do të konkurrojë për mbijetesën, duke u shprehur: ”Po punojmë intensivisht për krijimin e një ekipi të fortë për të përballuar me sukses kampionatin e ri. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që do të hasim gjatë rrugës, ndaj duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. E filluam me vonesë grumbullin e skuadrës, por tani për fat të mirë gjithçka është rikthyer në normalitet. Faza përgatitore po vazhdon rregullisht, ku konkurrenca brenda grupit të futbollistëve është tepër e madhe. Jemi në hapat e fundit të seleksionimit dhe më pas do të lidhim dhe kontratat me ata lojtarë që do të jenë pjesë e skuadrës në edicionin e ri futbollistik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›