E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani fiton 3-0 testin me fqinjët e Turbinës

Derbin e prefekturës e kanë fituar elbasanasit, të cilët kanë qenë dominues përgjatë gjithë 90minutave të lojës

Nga ELTON KARAJ


Elbasani: Ruçi, Ibrahimi, Cani, Dushku, Kapja, Dosti, Hila, Musta, Balla, Tafani, Krekas Trajner: I. File U aktivizuan (Gurra, Gjini, Lulgjuraj, Bezhani, Xhardja, Bajrami, Okorunkua, Olakunle, Alekumbi)
Turbina: Dyrmyshi, Tirana, Gjoni, Metaj, Xhelili, Plaku, Shahini, Kamami, Isaraj, Basriu, Rrapushi. Trajner: E. Belshi U aktivizuan (Koçi, Miraka, Shukulli, Zeneli, Mustafaj, Shkoza, Duro, Bullari)

Shënues: Musta 45′, Alekumbi 50′, 75′
Gjyqtarë: A. Zdrava, R. Preça, A. Robo (Elbasan)

Elbasani ka arritur të fitojë me rezultatin 3-0 në miqësoren e parë të zhvilluar për këtë sezon përballë Turbinës. Ka qenë një ndeshje e një niveli nën mesatar edhe pse e dominuar totalisht nga vendasit. Të pranishëm në stadium, për të ndjekur këtë takim miqësor ka qenë edhe presidenti i verdhebluve Arben Laze së bashku me aksionarin Gentian Cërraga. Kjo tregon se drejtuesit po qëndrojnë pranë skuadrës në këtë moment deçiziv të merkatos. Pjesa e parë ka qenë mjaft e dobët nga të dyja skuadrat, ku rastet për shënim mund numërohen me gishtat e njërës dorë. Edhe në ato momente kur sulmuesit kanë rrezikuar portierët respektivë janë treguar te vëmendshëm duke larguar rrezikun. Në fundin e pjesës së parë do të zhbllokohej edhe ndeshja, ku mesfushori Musta realizon me anë të një goditje dënimi, e ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore prej tij. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të verdhebluve. Fraksioni i dytë i lojës ka filluar me shumë ndryshime nga të dyja kampet. Trajnerët e të dyja skuadrave kanë menduar të aktivizojnë çdo lojtar që kanë pasur të gatshëm, pasi edhe synimi i këtij testi ishte pikërisht vëzhgimi i kontingjentit të lojtarëve që ata kishin në dispozicion. Elbasani e dominon edhe pjesën e dytë në çdo aspekt. Rezultati do të dyfishohej menjëherë pas 5 minutave të para të pjesës së dytë, ku nigeriani Alekumbi i ardhur nga Bylisi do të shënonte me gjuajtje të fortë, duke mos i dhënë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar. Ky i fundit është ende në fazën e provës në skuadër dhe kjo paraqitje mund ti shërbejë shumë për të ardhmen e tij te elbasanasit, kjo pasi do të ishte pikërisht ai që do të shënonte edhe golin e tretë për skuadrën dhe të dytin personal në këtë miqësore. Pas këtij momenti, deri në përfundim të takimit rezultati do të mbetej i pandryshuar. Gjithsesi, duhet theksuar që niveli i lojës ka lënë për të dëshiruar, pasi të dyja skuadrat janë ende në fazë ndërtimi.

Ilirjan File, trajner i Elbasanit Loja kishte shumë mangësi në të gjitha aspektet, kjo edhe për faktin që ne jemi ende në ndërtim e sipër dhe gjithashtu kishim shumë mungesa në përbërje. Presim që çdo gjë të rregullohet ne ditët në vijim dhe të jemi një skuadër më kompakte. Sa për lojtarët afrikanë, mund të them se ende nuk kemi vendosur për ta, nëse do të qëndrojnë apo jo.

Engjëll Belshi, trajner i Turbinës Për ne nuk ka rëndësi rezultati por loja e zhvilluar. Deri tani jemi shumë mbrapa me përgatitjen, por mendojmë se do të kapim ritmin e duhur para startit të sezonit. Kjo miqësore na shërben ne si staf, pasi jemi në fazë seleksionimi dhe po vëzhgojmë të gjithë ata elementë që na duhen për të ardhmen. E pranoj se ka vend për përmirësime.

Olatunji rikthehet tek Elbasani Sulmuesi Nigerian Joseph Olatunji Aderemi është rikthyer tek Elbasani, skuadër ku është aktivizuar sezonin e fundit. Ardhja e tij përbën një lajm të mirë për stafin teknik, pasi ai njihet si një lojtar me mjaft vlera dhe trajneri File e ka përfshirë në planet e tij. Së bashku me Olatunjin në skuadër kanë ardhur për tu provuar edhe tre lojtarë me ngjyrë nga Nigeria. Ata janë Toni Okorunkua (mbrojtës qendre), Alo Olankunle (mbrojtës i majtë) dhe Oluatosin Sunday Alekumbi (sulmues). Këta tre futbollistë janë në provë te verdheblutë, pasi ende nuk e kanë bindur stafin teknik për aftësitë e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›